“Trialog” – Deputetja Bylykbashi: Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk jep zgjidhje, parlamenti do të veprojë

Deputetja e Partisë Socialiste, Aulona Bylykbashi, komentoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me konfliktin e kompetencave mes pushtetit ekzekutiv dhe atij gjyqësor, duke lënë në fuqi pezullimin e zv.kryeministres Belinda Balluku.
Në emisionin “Trialog” në RTSH, Bylykbashi tha se vendimi i Kushtetueses ishte një “mosvendim”, pasi nuk ofron zgjidhje lidhur me ngërçin institucional dhe për këtë arsye, shtoi ajo, duhet të veprojë parlamenti me ndërhyrje ligjore.
“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ishte mosvendim, pasi nuk na jep një zgjidhje lidhur me situatën që ka krijuar një ngërç të përgjithshëm. Në këtë diskutim nuk po merremi me individin, por çështja shtrohet në aspektin institucional dhe iu adresua Kushtetueses si gjykata më e lartë për të zgjidhur ngërçin. Kemi një vendim që nuk jep zgjidhje. Parlamenti do të bëjë atë që i takon, dhe nga ngërçi i krijuar, do të përpiqet të japë një zgjidhje për situatën. Padyshim, do të jenë ndryshimet ligjore sipas standardeve evropiane. Këto ndryshime ligjore do të jenë të mirëkonsultuara dhe me pjesëmarrjen e ekspertëve vendas, dhe koha e lejon. Ndryshimet ligjore kërkojnë një konsultim të gjerë”, theksoi deputetja.
Lidhur me kërkesën për heqjen e imunitetit të Ballukut, deputetja tha se kjo nuk paraqet urgjencë, pasi hetimi mund të vijojë pasi pezullimi i zv.kryeministres është në fuqi.
“Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, kemi pezullimin e Ballukut; nuk ka asnjë urgjencë për imunitetin për sa kohë hetimi mund të vijojë dhe nuk ka asnjë rrezik për prishjen e provave apo ndikimin e dëshmitarëve. Ndryshimi ligjor do të shërbejë për thellimin e reformës në drejtësi dhe për balancimin e pushteteve dhe institucioneve”, tha Bylykbashi.
/rtsh.al/