“Trialog“ në RTSH- Situata e krijuar në Bashkinë e Tiranës, Zogaj: Bota demokratike do ta zgjidhte me dorëheqje

Analisti, Preç Zogaj, e cilësoi situatën e krijuar në Tiranë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese si të paprecedentë.
Në emisionin “Trialog” në RTSH, Zogaj theksoi se vendimi, ndonëse e rikthen Veliajn në detyrë, vë në pah një mungesë të fortë të kulturës etike në politikën shqiptare.
Zogaj e krahasoi situatën shqiptare me standardet perëndimore, ku etiketa politike kërkon një veprim tjetër në raste të tilla.
“Bota demokratike një situatë të tillë e ka zgjidhur me dorëheqje. Ka pasur Kancelarë në Gjermani që për akuza shumë më të vogla, kanë dhënë dorëheqje,” tha Zogaj.
Sipas tij, mosdhënia e dorëheqjes tregon bindjen se posti mund të shërbejë për të intimiduar gjykatën. Ai argumentoi se nëse dikush beson se nuk ka faj për akuzat, akti i duhur do të ishte dorëheqja nga posti për të mbrojtur integritetin institucional dhe për t’u përballur me drejtësinë si qytetar i lirë.
Zogaj solli në vëmendje edhe dimensionin elektoral të vendimit për të anuluar zgjedhjet e parakohshme në Tiranë.
Duke iu referuar sondazheve, ai vuri në dukje se skena politike për garën e kryebashkiakut të Tiranës ishte fragmentuar ndjeshëm, dhe diferenca mes kandidatëve nuk ishte më si më parë.
Sipas tij, thirrja e Ballukut nga Fieri për të përforcuar kandidaturën e Manastirliut, tregon se mazhoranca po bënte kalkulime.
“Duket se në bazë të këtyre kalkulimeve, më mirë thanë ta shtymë se nuk i dihet,” theksoi analisti.
Zogaj e mbylli analizën e tij duke theksuar se, falë vendimit të GJK, Veliaj tani është kryetar bashkie dhe do të gjykohet nga ky pozicion. Ai shtoi se do të flasë për Veliajn në themel vetëm kur ai të ballafaqohet në gjykatë për akuzat konkrete.
/rtsh.al/