E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tritoli në pallat, i arrestuari: Kam video e dëshmi për pafajësinë

Kati i dëmtuar nga shpërthimi

TIRANE – Familjarët e Klaudio Hoxhallarit, i arrestuar për shpërthimin e eksplozivit në apartamentin e tregtarit Dritan Jazexhiu në Tiranë, kanë alibi të fortë që sipas tyre vërteton se 25-vjeçari është arrestuar gabimisht nga policia. Vjehrra e të dyshuarit, Donika Lazaj, që është njëkohësisht motra e tregtarit Jazexhiu, tregon se dhëndri i saj nuk është i përfshirë në këtë histori, pasi konflikti i pronësisë ishte mes saj dhe të vëllait. Personi i arrestuar paraditen e së dielës në lidhje me këtë ngjarje është shprehur gjatë deklarimeve të tij se ka disa dëshmitarë të cilët tregojnë çdo lëvizje që ai ka bërë gjatë gjithë ditës kur ndodhi ngjarja. E fejuara e tij, shtetasja Adela Lazaj, ka deklaruar se ka qenë gjatë gjithë kohës me të në shtëpi, deri në orët e para të mëngjesit, kur policia ka shkuar për kontroll banese. Këtë fakt sipas saj e provojnë edhe pjesëtarët e tjerë të familjes, që gjithashtu kanë dëshmuar në polici menjëherë pas arrestimit. Nga ana tjetër, vetë prindërit e Dritan Jazexhiut, Selami dhe Lide Jazexhiu, i kanë vënë në dispozicion Prokurorisë, CD me pamjet filmike të regjistruara nga kamerat e sigurisë së një lokali në hyrje të pallatit, ku ka ndodhur shpërthimi në rrugën “5 Maji”. Sipas dy të moshuarve, kamerat kanë filmuar çdo lëvizje jo vetëm të Dritanit, por edhe lëvizje të banorëve të tjerë dhe provojnë që personi i arrestuar, Klaudio Hoxhallari, nuk ka kaluar aty në asnjë moment të ditës, apo edhe më përpara. Madje, mbesat e tregtarit dhe vetë motra e tij, kanë dyshime të forta që Jazexhiu e ka kryer gjithë ngjarjen vetë, për të përfshirë në këtë histori të fejuarin e mbesës, në emër të së cilës është i regjistruar dyqani pranë tregut “5 Maji”, të cilën ai e pretendon vetë. Sipas prindërve të tregtarit, konflikti i pronësisë mes tij dhe së motrës ka nisur pas vdekjes së vëllait të tyre, Ali Jezexhiu, për ndarjen e pronësisë së dyqanit trekatesh. Kjo pronë i është lënë në pronësi me akt noterial dhe certifikatë pronësie motrës së tregtarit, e cila pretendon se pavarësisht kësaj, i ka lënë të administrojë gjysmën e dyqanit. Por për këtë arsye ka pasur konflikte të herëpashershme të Dritan Jazexhiun. “Djali ynë ne na ka nxjerrë nga shtëpia, aty ku ndodhi ngjarja, pasi jetonim me të dhe tashmë jetojmë te vajza, Donika. Dhëndri, Klaudio, nuk ka gisht në këtë histori. Ai ka qenë për darkë te shtëpia ku rrimë ne, (prindërit e të fejuarës) më pas, gjatë gjithë natës ka qenë në shtëpinë e tij bashkë me mbesën tonë”, u shprehën dje prindërit e tregtarit Dritan Jazexhiu. Nga të dhënat që bëjnë publike familjarët e të arrestuarit, rezulton që alibia e tyre është e dokumentuar dhe provohet nga pamje filmike që ata tashmë i kanë depozituar në Prokurori, nëpërmjet avokatit të tyre. Ky nuk është rasti i parë që një alibi e tillë mund të shërbejë për lirimin e një personi të dyshuar. Vetëm disa javë më parë, u lirua nga qelia Astrit Vladi, të cilin policia e akuzonte për vrasje. Ndërkohë ai, pretendimin e tij se ndodhej te dy Kullat në Tiranë kur kishte ndodhur vrasja për të cilin e akuzonin, e mbështeste nga pamjet filmike, që iu vunë në dispozicion Prokurorisë.    et.de

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›