Trump: Kontrollojmë hapësirën ajrore të Iranit. Khamenein e dimë ku fshihet. S’do e vrasim, por të dorëzohet

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka bërë të ditur se SHBA ka kontrollin e plotë “të qiellit të Iranit”, teksa situata e përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme mes Tel Avitit dhe Teheranit është gjithnjë e në rritje.
“Tani kemi kontroll të plotë dhe total të qiellit mbi Iranin. Irani kishte sisteme të mira gjurmimi qiellor dhe pajisje të tjera mbrojtëse, dhe me shumicë, por nuk krahasohet me “gjërat” e prodhuara, të konceptuara dhe të prodhuara nga Amerika. Askush nuk e bën këtë më mirë se SHBA”, shkruan Trump.
Gjithashtu Trump ka kërcënuar edhe udhëheqësin suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, se e di ku fshihet, ndërsa shton se “është një shënjestër e lehtë, por nuk do ta vrasim! Të paktën jo për momentin.”
Këto deklarata Trump i bëri në rrjetin social “Truth”, ndërsa ka paralajmëruar se “durimi i SHBA-së po mbaron” dhe i ka bërë thirrje Iranit për dorëzim pa kushte.
“Ne e dimë saktësisht se ku fshihet i ashtuquajturi “Udhëheqës Suprem”. Ai është një shënjestër e lehtë, por është i sigurt atje. Nuk do ta vrasim! Të paktën jo për momentin. Por nuk duam që raketat të qëllohen drejt civilëve apo ushtarëve amerikanë. Durimi ynë po mbaron. Faleminderit për vëmendjen tuaj ndaj kësaj çështjeje! Dorëzim pa kusht!”, shkruan Trump.
Izraeli dhe Irani vijojnë shkëmbimet e zjarrit mes tyre për të pestën ditë me radhë, duke përfshirë sulme me raketa, dronë dhe ndërhyrje kibernetike.
/rtsh.al/