Trump Osmanit: Mike e SHBA!/ Presidenti amerikan e falenderon për marrëveshjen për emigrantët

Presidenti amerikan Donald Trump i ka dërguar një letër presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, në të cilën e falënderon për përkushtimin dhe miqësinë ndaj Shteteve të Bashkuara.
Presidenca e Kosovës njofton se ne letrën e Trump shkruhet se vendimi për të pranuar shtetas nga vende të tjera tregon gatishmërinë e fortë të Kosovës për të bashkëpunuar me SHBA.
Sipas Trump, me këtë çështje, tregohet fuqia dhe dhembshuria e popullit të Kosovës.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kosova ndajnë një lidhje të thellë, të bazuar në respektin e ndërsjellë, vlera të përbashkëta demokratike dhe një vizion për një të ardhme paqësore dhe me prosperitet. Përkushtimi juaj për forcimin e kësaj lidhjeje nuk ka kaluar pa u vërejtur, dhe jam i bindur se së bashku do të vazhdojmë të avancojmë qëllimet tona të përbashkëta.”
Më tej Trump shpreh sërish falënderimin ndaj Osmanit, që sipas tij ka qëndruar si mike e vërtetë e Shteteve të Bashkuara.
Në fund të letrës, Presidenti ameirkan i dërgon Presidentes Osmani edhe urimet më të mira nga Zonja e Parë Melania Trump.
Kujtojmë se Kosova ka pranuar strehimin e 50 emigrantëve nga vende të treta, të dëbuar nga territori amerikan.
Qeveria në detyrë e Kosovës tha pak muaj më parë se përzgjedhja e shtetasve do të bëhet në bashkëpunim me autoritetet amerikane dhe duke pasur parasysh sigurinë kombëtare dhe rendin publik. / abcnews.al