Trump-Putin bisedë për luftën, Presidenti amerikan: Kemi një shans të mirë për arritjen e paqes

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump do të zhvillojë të martën një bisedë të drejtëpërdrejtë me homologun rus Vladimir Putin në vijim të përpjekjeve për të arritur një armëpushim për luftën në Ukrainë.
“Do të flas me Presidentin Putin të martën. Është bërë një punë e madhe gjatë fundjavës. Do shohim nëse mund t’i japim fund kësaj lufte. Ndoshta mundemi, ndoshta nuk mundemi, por mendoj se e kemi një shans shumë të mirë”, tha Trump.
Diskutime për territoret e pushtuara të Ukrainës dhe termocentralet pritet të jenë pjesë e bisedës. Lajmi është konfirmuar edhe nga Kremlini.
Gjatë muajve të parë të mandatit të tij të dytë, Trump e ka bërë prioritet arritjen e një marrëveshjeje armëpushimi për luftën në Ukrainë.
Pas bisedimeve në Arabinë Saudite, zyrtarët ukrainas dhe amerikanë kanë njoftuar se Kievi ka rënë dakord për një armëpushim 30-ditor ndërsa Moska, deri më tani, ka kërkuar më shumë kushte për një paqe afatgjatë.
Megjithatë, Evropa mbetet ende skeptike. Përpara një mbledhjeje në Bruskel, shefja e politikës së Jashtme, Kaja Kallas tha se topi është tashmë në fushën e Rusisë.
“Ka një pikëpyetje të madhe nëse ata vërtetë duan paqe. Ata në fakt nuk e duan paqen, sepse po paraqesin si kushte të gjitha qëllimet e tyre përfundimtare që duan të arrijnë nga lufta”, tha Kallas.
Putin ka propozuar si kusht shtesë, edhe ngrirjen e furnizimeve të Kievit me armë nga SHBA-ja./vizionplus.tv