Trump do të zhvillojë takim me ‘gjigantët’ e naftës për Venezuelën: Bashkëpunim ose sulm të dytë

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se SHBA mund të ndërmarrë një tjetër operacion ushtarak në Venezuelë, nëse autoritetet atje reshtin së bashkëpunuari me SHBA-të.
Gjatë një interviste për NBC News, Trump tha se nuk beson që kjo të ndodhë dhe nga ana tjetër nuk hezitoi t’i thurte lavde ushtrisë amerikane për kapjen e Nicolas Maduros.
“Shtetet e Bashkuara e dëshmuan sërish që ne kemi ushtrinë më të fuqishme, më vdekjeprurëse, më të sofistikuar, më frikëndjellëse në planetin Tokë. Askush nuk mundet të na mundë. Askush nuk mund t’ia dilte asaj që bëmë ne. Askush tjetër nuk i ka armët tona” tha ai.
Planet për Venezuelën
Gjatë intervistës, Trump tha se para zgjedhjeve të rradhës në Venezuelë, amerikanët duhet ta rimëkëmbin shëndetin e këtij vendi.
“Në fillim na duhet ta rregullojmë vendin. Smund të ketë zgjedhje për momentin”, shprehet ai.
Sipas Trump, do të jenë një grup zyrtarësh amerikanë që do të përfshihen direkt në mbikqyrjen e punëve të Venezuelës.
Ndonëse nuk e bëri të qartë mënyrën se si SHBA do ta administrojë Venezuelën, Sekretari i Shtetit Marco Rubio ka lënë të kuptohet që administrimi do të fillojë nga ekonomia dhe eksporti i naftës. E megjithatë, kur u pyet se kush do të jetë në krye të detyrës, Trump u përgjigj: “Unë“!
Sipas NBC, administrata Trump po vlerëson mbështetjen financiare që duhet tu japë kompanive të naftës për rindërtimin e infrastrukturën energjetike të vendit pas rënies së Nicolas Maduros.