Trump emëron shefen e kabinetit, për herë të parë një grua do të “drejtojë” në Shtëpinë e Bardhë

Presidenti i zgjedhur Donald Trump firmosi një vendim që konsiderohet historik, pasi për herë të parë, një grua do të drejtojë kabinetin e Shtëpisë së Bardhë.
Trump, njoftoi se do t’i japë postin e lartë drejtueses së fushatës së tij Susie Wiles. Emërimi është i pari në morinë e atyre që Trump pritet të njoftojë gjatë këtyre ditëve teksa bën gati terrenin për t’u rikthyer në krye të SHBA.
Shefi i kabinetit ka një rol madhor në administrate, pasi menaxhon stafin e Shtëpisë së Bardhë, organizon agjendën e presidentin dhe ruan kontaktet me departamentet e tjera qeveritare dhe ligjvënësit.
Një stratege dhe lobiste republikane, Suzi Wiles është një prej këshilltareve më besnike të Trump, të cilës 78-vjeçari i njohu meritën për fitoren e tij dhe tha se do ta bëjë vendin krenar.
Mediat benë me dije se Trump po konsideron gjithashtu të emërojë ish-të dërguarin për Ballkanin, Richard Grenell për postin e sekretarit të shtetit, ndërsa me poste të rëndësishme pritet të shpërblehen edhe mbështetësit e tij, miliarderi Elon Musk dhe nipi i ish-presidentit Kenedi, Robert Jr.
Nga ana tjetër Kreu i bankës qendrore amerikane Jerome Pouell reagoi ndaj spekulimeve se pozicioni i tij mund të jetë në rrezik, ndërsa Donald Trump përgatitet të marrë pushtetin në Uashington. Ai deklaroi se nuk do të japë dorëheqjen nëse presidenti amerikan do ja kërkonte këtë./vizionplus.tv