Trump nuk tërhiqet: S’kam pse i kërkoj ndjesë Papës, ai është gabim

Donald Trump ka deklaruar se nuk do t’i kërkojë falje Papa Leone XIV, pas përplasjes së fundit mes tyre lidhur me Iranin.
Deklarata erdhi pasi Papa kritikoi kërcënimet e presidentit amerikan ndaj Iranit, duke nxitur reagimin e menjëhershëm të Trump.
“S’kam asgjë për të kërkuar falje. Ai është gabim”, u shpreh Trump gjatë një konference për shtyp në Shtëpinë e Bardhë.
Më herët, Donald Trump ka sulmuar ashpër Papa Leone XIV përmes një postimi në Truth Social.
“Është i dobët përballë kriminalitetit dhe i tmerrshëm në politikën e jashtme. Flet për frikën ndaj administratës Trump, por nuk përmend frikën që Kisha Katolike dhe të gjitha organizatat e tjera të krishtera përjetuan gjatë COVID-19, kur priftërinj, shërbyes fetarë dhe të tjerë arrestoheshin për shkak të kremtimit të shërbesave fetare”, ka shkruar ai.
“Preferoj shumë më tepër vëllain e tij Louis sepse është plotësisht MAGA. Ai e ka kuptuar gjithçka. Nuk dua një Papë që e konsideron të pranueshme që Irani të zotërojë armë bërthamore”, u shpreh Trump.
Presidenti amerikan deklaroi se Papa Leone “duhet të jetë mirënjohës”, duke pretenduar se emërimi i tij ishte i papritur dhe se nuk figuronte mes kandidatëve të mundshëm. Sipas tij, zgjedhja u bë sepse ishte amerikan dhe shihej si një mënyrë për të menaxhuar marrëdhëniet me presidentin amerikan.
“Nëse unë nuk do të isha në Shtëpinë e Bardhë, Leone nuk do të ishte në Vatikan”, shtoi Trump.
Papa Leone XIV tha për Reuters se “s’ka frikë dhe do të vazhdojë të flasë kundër luftës”, pas sulmit të drejtpërdrejtë të Presidentit të SHBA-ve Donald Trump ndaj liderit të Kishës të 1.4 miliardë besimtarëve katolikë.
Në komentet e dhëna në bordin e avionit papnor gjatë udhëtimit drejt Algjerisë, ku Papa po nis një turne 10-ditor në katër vende afrikane, ai tha gjithashtu se mesazhi i krishterë po “keqpërdoret”.
“Nuk dua të hyj në debat me të,” tha Papa Leoni për Reuters. “Mesazhi është gjithmonë i njëjti: paqja. Dhe këtë ua them të gjithë udhëheqësve të botës: le të përpiqemi t’i japim fund kësaj lufte. Nuk mendoj se mesazhi i Ungjillit është menduar të keqpërdoret në mënyrën si po bëjnë disa njerëz.”