Trump paralajmërohet të mos frikësojë dëshmitarët, gjykatësja: E drejta e fjalës e lirë në rastin e 6 janarit s’është ‘absolute’

Gjykatësja e qarkut amerikan, Tanya Chutkan, tha se po planifikon të vendosë kufizime serioze mbi mënyrën se si trajtohen provat e ndjeshme në çështjen e ndërhyrjes në zgjedhje të Donald Trump në 2020.
Kjo u bë e ditur në një seancë dramatike të premten në Uashington, DC, seancë që mund të vendosë edhe tonin për gjyqin e ardhshëm. Ish presidenti e ka të drejtën e fjalës së lirë, por kjo e drejtë “nuk është absolute”,- tha Chutkan .
“Zoti Trump, si çdo amerikan, ka të drejtën e Amendamentit të Parë për fjalën e lirë, por kjo e drejtë nuk është absolute. Në një çështje penale si kjo, liria e fjalës së të pandehurit i nënshtrohet rregullave.”
Ajo tha gjithashtu se sa më shumë që një palë të bëjë deklarata “inflamatore” që mund të dëmtojnë trupën e jurisë, “aq më e madhe do të jetë urgjenca që ne të vazhdojmë me një gjykim të shpejtë” për të siguruar që ai të jetë i drejtë.
Kjo është seanca e parë përpara gjyqtares Chutkan. Ajo ka shfaqur tashmë një zakon për t’iu përgjigjur me shpejtësi çdo debati mes palëve për planifikimin e gjyqit.
Ajo është emëruar nga Obama dhe ka gjykuar disa raste në lidhje me ngjarjet e 6 janarit 2021. Chutkan është shprehur hapur për dëmin që sulmi ndaj Kapitolit në SHBA i ka shkaktuar demokracisë amerikane.
Trump u deklarua i pafajshëm për katër akuza penale në lidhje me përpjekjet e tij për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020. Nga ana tjetër, gjykatësja e paralajmëroi Trumpin për çdo frikësim të mundshëm që ai mund tu bëjë dëshmitarëve.
Nëse deklaratat publike të Trump mbulohen apo jo nga urdhri mbrojtës që është lëshuar, tha ajo, dhe nëse ato rezultojnë në frikësimin e një dëshmitari ose pengimin e drejtësisë: “Unë do t’i shqyrtoj ato me shumë kujdes”.
Avokati i Trump, John Lauro tha: “Presidenti Trump do t’i përmbahet me përpikëri kushteve të tij”.
Chutkan miratoi kufizimet e propozuara nga prokurorët që do ta ndalonin Trumpin që të zbulonte publikisht informacione nga transkriptet e intervistave dhe regjistrimeve të bëra gjatë hetimit, duke përfshirë intervistat e dëshmitarëve me hetuesit, të cilat u zhvilluan jashtë jurisë së madhe.
Mënyra se si Chutkan po e trajton çështjen ka të ngjarë të shërbejë si një kontrast me gjyqtaren e qarkut të SHBA, Aileen Cannon, një e emëruar e Trump në Florida, që ka qenë më pak e nxituar për të çuar përpara procedurat në çështjen e dokumenteve të klasifikuara kundër ish-presidentit.
Cannon është analizuar shumë për atë që kritikët thonë se është një trajtim favorizues i ish-presidentit në një proces gjyqësor të mëparshëm, që Trump bëri vitin e kaluar, një shenjë sfiduese ndaj hetimit të Departamentit të Drejtësisë.
Urdhrat mbrojtës janë pjesë normale e çdo çështje penale dhe ato zakonisht miratohen pa shumë debate. Në këtë rast, megjithatë, zyra e prokurorit special dhe avokatët mbrojtës të Trumpit kanë luftuar, lidhur me dosjet gjyqësore mbi atë nëse Trump do të jetë në gjendje ti diskutojë ato publikisht.
Ndër kufizimet që prokurorët po kërkojnë në këtë rast është një rregull që i ndalon avokatët e Trump që të ofrojnë kopje të provave “të ndjeshme” për ish-presidentin, duke përfshirë intervistat e dëshmitarëve, si dhe transkriptet e jurisë së madhe nga dhjetëra dëshmitarë në rrethin e Trump që kanë folur me prokurorët. CNN
/rtsh.al/