Trump u bën thirrje republikanëve të votojnë për publikimin e dosjeve të Epstein

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, u ka bërë thirrje republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve që të votojnë në favor të publikimit të dosjeve të Jeffrey Epstein, duke shënuar një ndryshim të dukshëm nga qëndrimi i tij i mëparshëm.
“Republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve duhet të votojnë për publikimin e dosjeve të Epstein, sepse nuk kemi asgjë për të fshehur”, shkroi Trump të dielën në mbrëmje në platformën Truth Social.
Qëndrimi i ri i presidentit vjen pasi dhjetëra republikanë sinjalizuan se ishin të gatshëm të mbështesnin hapur publikimin e dokumenteve, duke rrezikuar të dilnin nga linja e partisë.
Këtë javë, Dhoma e Përfaqësuesve pritet të votojë mbi një projektligj që do të detyronte Departamentin e Drejtësisë të publikojë dosjet e paklasifikuara të Epstein-it. Sipas vlerësimeve, mbështetësit e projektligjit duket se kanë votat e nevojshme për ta kaluar në Dhomë, ndonëse mbetet e paqartë nëse ai do të marrë mbështetjen e Senatit. Në rast se miratohet në të dyja dhomat, Trump do të duhet ta nënshkruajë për ta bërë ligj.
Legjislacioni ka marrë mbështetje si nga demokratët ashtu edhe nga disa republikanë.
I njohur si Akti i Transparencës së Dosjeve Epstein, projektligji kërkon publikimin e të gjitha të dhënave, dokumenteve, komunikimeve dhe materialeve hetimore të paklasifikuara që lidhen me financuesin pedofil Jeffrey Epstein.
Trump lëshoi deklaratën pak pasi zbriti në Bazën e Përbashkët Andrews, pas një fundjave të kaluar në Florida. Ai theksoi se Departamenti i Drejtësisë ka bërë tashmë publike dhjetëra mijëra faqe dokumentesh për Epstein-in, ndërsa po shqyrton edhe lidhjet e disa figurave të njohura demokratë me të.
Trump shtoi se Komiteti Mbikëqyrës i Dhomës së Përfaqësuesve mund të marrë “çfarëdo që i takon ligjërisht” dhe se ai dëshiron që republikanët të “kthehen në qendër të qëndrueshme”.