E Diel, 1 Nëntor 2026

Trump vlerëson rolin e Kosovës në përfundimin e luftërave në letrën drejtuar Osmanit

PRISHTINË, 21 prill/ATSH/ Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump e ka vlerësuar rolin e Kosovës në përfundimin  e luftërave, dhe këtë e ka bërë në letrën e falënderimit dërguar ish-presidentes Vjosa Osmani, me rastin e përfundimit të mandatit të saj.

Në letrën që mban datën 8 prill, e të cilën Osmani e ka publikuar sot, Trump ka nënvizuar se Kosova ka luajtur një rol të rëndësishëm në nismat për paqe dhe stabilitet.

“Kemi arritur shumë së bashku në një periudhë të shkurtër kohore – veçanërisht bashkëpunimin tonë në kuadër të Bordit të Paqes. Pjesëmarrja e Kosovës në këtë nismë të re premtuese do të luajë një rol të jashtëzakonshëm në përfundimin e konflikteve në mbarë botën, duke promovuar njëkohësisht lirinë dhe mirëqenien për të dy popujt tanë”, thuhet në letër.

Përmes kësaj letre, Trump ka vlerësuar edhe rolin e ish-presidentes Osmani, duke e cilësuar si të guximshëm dhe vendimtar në shërbim të qytetarëve të Kosovës.

Me këtë rast, ajo ka thënë se mirëpret vazhdimin e bashkëpunimit në vitet në vijim.

“Falënderoj presidentin Trump për letrën e dërguar në përfundim të mandatit tim, të cilën e pranova mbrëmë, si dhe për vlerësimin që i ka bërë punës sonë! Ashtu siç thekson edhe Presidenti i SHBA-ve në këtë letër, mirëpresim vazhdimin e bashkëpunimit në vitet në vijim”, shkroi Osmani.

Trump e ka falënderuar Osmanin për bashkëpunimin e ngushtë gjatë periudhës së mandatit, duke vënë në theks përfshirjen e Kosovës për përfundimin e konflikteve dhe promovimin e lirisë dhe mirëqenies. /Kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›