“Tuneli i lirisë” në Tiranën e vitit 1954, tentativa për arratisje e të burgosurve dhe pushkatimi i organizatorëve! Çfarë ndodhi në kampin nr.4
Në verën e vitit 1954, ndërsa Tirana po zgjerohej dhe brigjet e Lanës po ndryshonin pamje nga ndërtimi i banesave të reja, pas telave me gjemba të një kampi pune zhvillohej në heshtje një përpjekje e jashtëzakonshme për arratisje.

Në barakat e ngritura, mes të burgosurve politikë dhe të dënuarve ordinerë, një grup të burgosurish po gërmonte një tunel që mund t’u hapte rrugën drejt lirisë. Ata e kishin pagëzuar me një emër që shprehte gjithçka që shpresonin të fitonin: “Tuneli i lirisë”. Por plani që ishte përgatitur për javë të tëra dështoi pak para se të vihej në zbatim. Zbulimi i tunelit u pasua nga arrestime, hetime dhe një proces gjyqësor ushtarak me dyer të mbyllura. Më 17 korrik 1954, një trupë e Kolegjit Ushtarak të Gjykatës së Lartë dha vendime të rënda, ndërsa katër prej të dënuarve, Isuf Agolli, Mark Zef Pali, Zyhdi Mancaku dhe Abdulla Bajrami, u pushkatuan më 12 gusht të atij viti. Tentativa e arratisjejes përfundoi në tragjedi.
KAMPI NR. 4
Kampi nr. 4 ishte një prej reparteve ku regjimi komunist grumbullonte të dënuar politikë dhe ordinerë për punë të detyruar. Ai u ngrit në Tiranë në shtator të vitit 1953, me synimin që të burgosurit të angazhoheshin në ndërtimin e banesave të kryeqytetit. Sipas të dhënave të dokumentuara në materialet për këtë kamp, në fillim aty u grumbulluan 529 të burgosur, shumica prej tyre të dënuar politikë. Qendra e kampit ndodhej në afërsi të pallateve “Agimi”, pranë lumit të Lanës. Zona e kampit ishte rrethuar me tela me gjemba, ndërsa të burgosurit flinin në baraka. Të dënuarit politikë dhe ata ordinerë mbaheshin të ndarë nga njëri-tjetri. Pamja e Tiranës që po ndërtohej kishte një kontrast të fortë me jetën brenda kampit. Ndërsa jashtë tij ngriheshin pallate dhe krijoheshin hapësira të reja banimi, brenda telave me gjemba njerëz të dënuar për bindjet, veprimtarinë politike apo akuza të tjera detyroheshin të punonin nën mbikëqyrjen e autoriteteve. Pikërisht kushtet e kampit dhe afërsia me shtratin e vjetër të Lanës do të shërbenin si pikënisje për planin e arratisjes.
IDEJA E TUNELIT
Sipas të dhënave të njohura për këtë ngjarje, ideatori i planit ishte Isuf Riza Agolli, i njohur edhe si Isuf Velçani. Ai vuante një dënim prej 20 vjetësh burg, të dhënë në vitin 1945 për arratisje. Duke parë mundësinë që krijonte terreni, Isufi mendoi të hapej një kanal nëntokësor që do të kalonte nga një prej barakave të kampit dhe do të ndihmonte të burgosurit të dilnin jashtë rrethimit. Tuneli parashikohej të ishte rreth tetë metra i gjatë dhe të shfrytëzonte pozicionin e kampit pranë shtratit të vjetër të Lanës. Puna nisi, rreth muajit maj 1954. Koha ishte zgjedhur me kujdes. Me përfundimin e shirave dhe afrimin e verës, kushtet për gërmim dhe transportimin e dheut ishin më të favorshme. Në punimet fillestare Isufi u ndihmua nga Haki Zeqiri Ismaili. Niko Kozma Malo kishte shërbyer si roje në fillim të punimeve, ndërsa Mark Zef Pali, Zyhdi Mancaku dhe Abdulla Bajrami përmenden ndër mbështetësit kryesorë të nismës. Sipas deklarimeve që i atribuohen Isuf Agollit, puna zgjati rreth 40 ditë. Gërmimi bëhej me kujdes, kryesisht gjatë natës ose në momente kur disa të burgosur shtireshin sikur ishin të sëmurë. Çdo veprim bëhej me kujdes që most ë pikaseshin nga rojet dhe komanda e kampit. Tuneli u hap me mjete të thjeshta. Gjatë kontrollit të mëvonshëm, brenda tij u gjetën vegla pune, ndërsa dheu i nxjerrë ishte mbajtur brenda barakës. Për të shmangur zbulimin, hyrja ishte maskuar me kujdes. Pas shumë ditësh pune, kanali kishte arritur gjatësinë e parashikuar. Gjithçka po përgatitej për momentin kur të burgosurit do të provonin të dilnin nga kampi. Por sekreti nuk do të ruhej deri në fund.
ZBULIMI I PLANIT
Por cilat ishin rrethanat se si autoritetet morën dijeni për tunelin. Sipas studiuesit Kastriot Dervishi, një nga shpjegimet e hedhura si mundësi është se informacioni mund të jetë përcjellë nga një i burgosur i transferuar në kampin nr. 1 të Bulqizës, i hapur në mars të vitit 1954. Sipas këtij versioni, një person mund të ketë dhënë informacion për të përfituar lehtësi në vuajtjen e dënimit. Pak para zbulimit të plotë të tunelit, autoritetet arrestuan Mark Zef Palin, Kolë Pepën dhe Zyhdi Mancakun. Më 23 qershor 1954, kur tuneli ishte gati, autoritetet zbuluan shenjat e para të gërmimit. Në një prej barakave u konstatua një gropë me përmasa rreth 50 me 50 centimetra dhe me thellësi rreth 60 centimetra. Nga kontrolli u pa se kanali ishte hapur me mjete të forta, ndërsa brenda u gjetën edhe veglat e përdorura për punë. Më 24 qershor, kampi u rrethua dhe nisi një kontroll i imtësishëm. Në fillim kërkimet brenda kampit nuk dhanë rezultatin e pritur, sepse hyrja e tunelit ishte maskuar. Më pas kontrolli u zgjerua nga ana e jashtme dhe tuneli u zbulua. Tashmë të burgosurit pas zbulimit të tunelit jo vetëm që merrte fund shpresa për liri por i priste ndëshkimi.
GJYQI I MBYLLUR
Ndër emrat e lidhur me këtë ngjarje përmendet Mark Zef Pali, i dënuar më parë me 20 vjet burg për pjesëmarrje në organizatën e quajtur “Fronti i Rezistencës”. Sipas materialit historik, ai njihej për qëndrimin e tij të vendosur antikomunist dhe, gjatë hetimeve, nuk pranoi akuzat që iu drejtuan, duke mohuar dijeninë për veprimet që autoritetet po përpiqeshin t’i atribuonin. Hetimet nuk përfshinin vetëm rindërtimin e planit të arratisjes, por edhe përcaktimin e përgjegjësive individuale dhe të rolit që secili i burgosur kishte pasur në të. Më 17 korrik 1954, Kolegji Ushtarak i Gjykatës së Lartë, me vendimin nr. 189, shqyrtoi tentativën e arratisjes përmes tunelit në një proces me dyer të mbyllura. Në mesin e të pandehurve ishin Isuf Riza Agolli, Mark Zef Pali, Zyhdi Sulejman Mancaku, Emin Hasan Bakalli, Haki Zeqir Ismaili, Besim Mehmet Latifi, Kolë Marash Pepa, Niko Kozma Malo, Abdulla Riza Bajrami, Feim Hysen Ymeri dhe të burgosur të tjerë. Ata kishin prejardhje të ndryshme dhe histori të ndryshme dënimesh. Disa vuanin dënime të gjata për arratisje të mëparshme, të tjerë ishin dënuar për agjitacion e propagandë, strehim të personave të konsideruar antikomunistë ose akuza të tjera politike. Akuza e paraqitur kundër tyre ishte se kishin qenë “pjesëtarë të një organizate kriminale kundra pushtetit popullor për t’u arratisur në një shtet armik”. Procesi përfundoi me dënime të rënda. Katër të burgosur u dënuan me vdekje: Isuf Agolli, Mark Zef Pali, Zyhdi Mancaku dhe Abdulla Bajrami. Edhe Niko Malo, Besim Latifi dhe Nasuf Gjilaj u dënuan fillimisht me vdekje, por dënimet e tyre u kthyen në burgim.
VENDIMI PËR PUSHKATIMET
Më 12 gusht 1954, në orën 13:00, u ekzekutuan katër të dënuarit me vdekje, në bazë të urdhrit sekret nr. OY-365, datë 12 gusht 1954, sipas të dhënave të paraqitura në dokumentacionin e kësaj çështjeje. Ata ishin: Isuf Riza Agolli, i lindur më 1914 në Velçan, i dënuar më parë me 20 vjet burg për arratisje. Mark Zef Pali, i lindur më 1917 në Laç, i martuar dhe baba i tre fëmijëve, i dënuar me 20 vjet burg për pjesëmarrje në “Frontin e Rezistencës”. Zyhdi Sulejman Mancaku, i lindur më 1928 në Ndroq dhe banues në Tiranë, i dënuar me 18 vjet burg. Abdulla Riza Bajrami, i lindur më 1928 në Danilovgrad të Malit të Zi dhe banues në Shkozet të Durrësit, i dënuar me 20 vjet burg. Katër ekzekutimet e gushtit e kthyen dështimin e “tunelit të lirisë” në një ngjarje me pasoja fatale. Tuneli prej rreth tetë metrash nuk arriti t’i çonte të burgosurit drejt lirisë.
/Gazeta Panorama