Tuneli nënujor më i gjatë në botë do të ndërtohet nën Detin Baltik

Tuneli më i gjatë nëntokësor në botë do të lidhë Danimarkën dhe Gjermaninë duke bërë kështu që udhëtimi midis dy shteteve të jetë më i vogël.
Tuneli do të arrijë deri në 40 metra nën Detin Baltik, dhe do të jetë më i gjati i ndërtuar nën ujë në botë i cili do të hapet në vitin 2029. Fermern A/S, kompania shtetërore daneze përgjegjëse për projektin, thotë se ky është objekti më i madh dhe më i avancuar i këtij lloji.
Tuneli, i cili do të jetë 18 kilometra i gjatë, është një nga projektet më të mëdha të infrastrukturës në Evropë, me një buxhet ndërtimi prej mbi 7 miliardë euro.
Për krahasim, tuneli i Kanalit La Manshit është 50 kilometra që lidh Anglinë dhe Francën, i përfunduar në 1993, kushtoi 13.6 miliardë dollarë në paratë e sotme. Tuneli, emri zyrtar i të cilit është Fehmarnbelt Fixed Link, do të jetë gjithashtu tuneli më i gjatë i kombinuar rrugor dhe hekurudhor në botë. Ai do të përbëhet nga dy autostrada me dy korsi të ndara nga një kalim shërbimi dhe dy shina hekurudhore.
Përveç përfitimeve për trenat dhe makinat, tuneli do të ketë një ndikim pozitiv në kamionët e mallrave sepse krijon një rrugë tokësore midis Suedisë dhe Evropës Qendrore që do të jetë 160 kilometra më e shkurtër se sot.
Për momentin, trafiku midis gadishullit Skandinav dhe Gjermanisë nëpërmjet Danimarkës mund të marrë tragetin përmes Fehmarnbelt ose një rrugë më të gjatë përmes urave midis ishujve të Zelandës, Funen dhe gadishullit Jutland citon CNN.
/rtsh.al/