Turi Ballkanik, Klinton mbërrin në Prishtinë

Ashton dhe Klinton
PRISHTINE- Sekretarja amerikane e shtetit, Hilary Clinton dhe përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Catherine Ashton kanë mbërritur në Prishtinë në kuadër të turit të tyre Ballkanin.
Në Aeroportin e Prishtinës, shefja e diplomacisë amerikane dhe ajo e diplomacisë evropiane janë pritur nga presidentja, Atifete Jahjaga dhe përfaqësuesi i BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar.
Ndërsa të martën mbrëma përveç njoftimeve se Clinton e Ashton do të qëndrojnë në Kosovë, nuk janë dhënë shpjegime tjera nga Ambasada Amerikane dhe Zyra e BE-së, për të mërkurën, është paralajmëruar takimi i dy zyrtareve të larta ndërkombëtare me presidenten, Atifete Jahjaga dhe kryeministrin, Hashim Thaçi. Më pas, ato do të paraqiten edhe në një konferencë të përbashkët për media.
Sa u përket Kosovës dhe Serbisë, kjo vizitë shihet si ecje përpara në procesin e ardhshëm të bisedimeve ndërmjet dy vendeve që, sipas kërkesave ndërkombëtare, duhet të përfundojë me një proces normalizimi të raporteve ndërmjet dy vendeve.
Më herët, sekretarja amerikane, Hillary Clinton sonte në Beograd është shprehur e qartë se Kosova është shtet i pavarur dhe se kufijtë në Evropë nuk do të ndryshohen. Ajo e tha këtë pas takimeve me kryeministrin serb Ivica Dacic dhe presidentin Tomislav Nikolic, nën shoqërimin e përfaqësueses së lartë të BE-së, Catherine Ashton.
Clinton dhe Ashton kanë theksuar Beogradi dhe Prishtina duhet të zbatojnë marrëveshjet e arritura dhe përparimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.