E Diel, 1 Nëntor 2026

Turi i Lionel Messi në Indi fillon keq, tifozët shkatërrojnë stadiumin

Ishin mbledhur në stadium për të parë idhullin e tyre, Lionel Messi, por kur u zhgënjyen shpërthyen në dhunë. Tifozët e zemëruar kaluan barrikadat dhe u futën në fushën e një stadiumi në Kalkuta, pasi Messi, i impenjuar në një tur treditor në Indi, “Goat Tour”, u largua papritur. Në atë stadium duhej të luhej edhe një miqësore.

Ylli argjentinas bëri një xhiro në fushë përpara mijëra tifozëve, por masat e larta të sigurisë bënë që të ishte shumë e vështirë për fansat ta shihnin nga afër idhullin e tyre. Po ashtu, qëndrimi i Messi zgjati më pak nga sa ishte parashikuar.

Në këtë moment tifozët, shumë nga të cilët kishin paguar më shumë se 100 dollarë për biletën, e humbën durimin dhe filluan të thyenin karriget dhe të hidhnin shishe uji në fushë. Të tjerë u futën në fushë, duke prishur banderolat.

Para se të shkonte në stadium, Messi kishte inauguruar një statujë të lartë 21 metra, ku ai shfaqej me trofeun e Kupës së Botës në duar.

Kryeministrja e shtetit, Mamata Banerjee, u shpreh e indinjuar dhe e shokuar nga menaxhimi i keq i eventit. “I kërkoj falje sinqerisht Lionel Messi, ashtu si dhe shumë të apasionuarve të sportit, për incidentin e ndodhur”, – ka shkruar në “X”, ku bënte me dije gjithashtu se kishte urdhëruar një hetim për ngjarjen.

Messi do të shkojë edhe në Hyderabad, Mumbai dhe New Delhi, në kuadrin e një turi prej katër qytetesh. Në program është edhe një takim me kryeministrin Narendra Modi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›