“Turizmi dhe ndërtimi, bum në Shqipëri”/ Rama thirrje shqiptarëve të Greqisë: Kthehuni në Atdhe

Kryeministri Edi Rama thotë se turizmi dhe ndërtimi po zhvillohen me ritme të shpejta në vend.
Përmes një komunikimi online me qytetarët, Rama u bëri thirrje shqiptarëve të cilët punojnë dhe jetojnë në Greqi, që të kthehen në Atdhe.
“Në Shqipëri, kush punon, sidomos në fshat, jeton me dinjitet. Në fund të ditës, nuk punon për dikë tjetër, por për vete. Hajde t’iu bëjmë llogari këtyre që punojnë në ndërtim në Greqi, sa merr një punëtor në ndërtim në Greqi dhe sa merr në Shqipëri dhe pastaj hymë pak më thellë. Sa taksa paguan atje, dhe sa taksa paguan këtu. Sa qira paguan atje dhe sa paguan këtu, ku 94 përqind e shqiptarëve kanë shtëpinë e tyre. Sa kushton transporti atje dhe sa kushton këtu, që janë distancat e shkurta. Doni të bëjmë llogari në turizëm? Sa merr një person në Shqipëri dhe sa merr në Greqi? Kjo është jeta e fakteve. Pastaj duam të flasim dokrra, mund ta themi. Patjetër që atje ka avantazhe që nuk janë këtu. Në shumë aspekte, me Greqinë, jemi barazuar. Një shqiptari i them hajde puno këtu, ata që janë në ndërtim dhe turizëm. Ka një sistem taksimi shumë të favorshëm. Nuk i them një greku, por i them një shqiptari”, theksoi ai/abcnews.al