E Martë, 3 Nëntor 2026

Turizmi rikthen drugdhendjen, mjeshtri gjirokastrit i frymëzuar nga interesi i të huajve

Agron Haska është mjeshtri i drurit nga Gjirokastra, që filloi të punonte në këtë zanat që 13 vjeç dhe  ushtron mjeshtërinë e gdhendjes së drurit dhe në veçanti punimin e dekoracioneve për zbukurimin e mjediseve të banesave karakteristike.

Edhe pse nuk ka kryer një shkollë arti ai e ka kthyer gdhendjen në dru në profesionin e jetës së tij.

Në një intervistë për RTSH Gjirokastra, Haska rrëfen këtë rrugëtim. Punimet e drurit tashmë janë kthyer në shërbim të zhvillimit të turizmit ndërsa shërbejnë si suvenire për tërheqjen e vizitorëve vendas dhe të huaj.

Prej disa vitesh Agroni ka çelur një qendër të punimit të dekoracioneve dhe suvenireve karakteristike prej druri në Pazarin e gurtë.

Tashmë puna e tij po tërheq edhe vëmendjen e turistëve që vizitojnë qytetin. Për mjeshtrin e dekoracioneve në dru ky zanat është një vlerë e veçantë e traditës gjirokastrite prandaj duhet të transmetohet në breza.

Qyteti i Gjirokastrës ka një traditë të veçantë për sa i përket mjeshtërive tradicionale si punimi i gurit, drurit, hekurit, qëndisje etj…të cilat janë trashëguar në breza.

Gazetare: Eriselda Dyrmishi

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›