Turneu “Replay Elka Cup 2026”, përcaktohen finalistët e Tiranës

TIRANË, 10 prill /ATSH/ Në një atmosferë elektrizuese dhe me mbështetje të jashtëzakonshme nga të rinjtë, “Shtëpia e Futbollit” priti ndeshjet gjysmëfinale të gjimnazeve të Tiranës, në kuadër të turneut kombëtar “Replay Snack Elka Cup 2026”, një iniciativë që promovon futbollin në shkolla dhe inkurajon pjesëmarrjen aktive të të rinjve në sport.
Turneu, i organizuar nga Federata e Futbollit në bashkëpunim me Shoqatën Rajonale të Futbollit Tiranë, Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit dhe Ministrinë e Arsimit, me mbështetjen e kompanisë Replay, u shndërrua në një festë të vërtetë sportive.
Katër gjimnazet gjysmëfinaliste dhuruan emocione dhe rivalitet të fortë, ndërsa qindra nxënës mbushën tribunat për të mbështetur ekipet e tyre, duke krijuar një atmosferë fantastike.
Në tribunë ditën e sotme ishin të pranishëm edhe ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja dhe presidenti i FSHF, Armand Duka, të cilët ndoqën nga afër një nga ndeshjet gjysmëfinale dhe përjetuan atmosferën e krijuar nga gjimnazistët e Tiranës.
Të dyja përballjet gjysmëfinale u vendosën nga penalltitë. “Petro Nini Luarasi” siguroi finalen pas fitores 4-3 me penallti ndaj “Sami Frashërit”, pas një ndeshjeje të mbyllur pa gola në kohën e rregullt.
Në gjysmëfinalen tjetër, “Qemal Stafa” triumfoi gjithashtu nga pika e bardhë, duke mposhtur 4-3 “Ismail Qemalin” pas barazimit 1-1 në kohën e rregullt.
Në një postim në rrjetet sociale Gonxhja theksoi se, në gjysmëfinalet e turneut “Replay Elka Cup 2026” një atmosferë plot energji të rinjsh shoqëroi përballjet emocionuese, ku “Petro Nini Luarasi” dhe “Qemal Stafa” siguruan finalen pas dueleve konkurruese, duke reflektuar më së miri pasionin e të rinjve për sportin dhe vlerat e bashkëpunimit e fair-play, në kuadër të kampionatit të shkollave që vijon të fuqizojë sportin në arsimin parauniversitar dhe të nxisë pjesëmarrjen aktive të brezit të ri.
Finalja e madhe, që do të zhvillohet më 17 prill në “Shtëpinë e Futbollit”, do të vendosë përballë shkollat “Petro Nini Luarasi” dhe “Qemal Stafa”. Fituesi do të përfaqësojë Tiranën në fazën kombëtare, duke u ndeshur me 7 ekipet më të mira nga qendrat rajonale të Shqipërisë.
1 nga 9/gj.m/r.e/a.f/