E Shtunë, 31 Tetor 2026

Turqi referendum per parkun Gejzi

Hysein Celik, nënkryetari i partisë turke në pushtet AK, pas takimit me “personalitete publike” foli për një referendum në Stamboll, mbi planet për zhvillimin e parkut Gejzi dhe, njëherazi, u kërkoi protestuesve të largohen nga sheshi, i zaptuar prej tyre prej 31 majit.

“Qeveria turke nuk do të pranojë vazhdimin e protestave deri në pafundësi”, tha ai. Disa prej protestuesve u shprehën skeptikë mbi ofertën për referendum. Siç raportuan mediat ndërkombëtare, drejtuesit e protestës anulluan takimin me kryeministrin turk, Rexhep Taip Erdogan, si kundërpërgjigje për forcën e ushtruar mbrëmjen e së martës, në sheshin Taksim në Stamboll. Kreu i protestave, Ejup Muhcu, shpjegoi se “figurat publike” nuk i përfaqësojnë aspak, sepse ata janë miqësorë me qeverinë. Ndërkohë që në horizont nuk ka asnjë shenjë për negociata mes palëve, Turqia, vend anëtar i NATO-s, mund të përballet me tensione të tjera. Dhuna kundër protestuesve mund të vendosë në rrezik miqësinë e Erdogan-it me vendet e Perëndimit, një marrëdhënie veçanërisht kritike, kur në shtetin fqinj të Turqisë, Siri, po zhvillohet një luftë civile. Ish-shefi i shërbimeve sekrete në SHBA, Xhon Negroponte, i cituar nga CNN tha se protestat janë një mesazh i qartë për ambiciet e Erdogan-it, për t’u bërë president i vendit. Qeveria turke, deri tani nuk ka dëshmuar asnjë shenjë për t’u pajtuar. Madje, siç raportoi të mërkurën media turke, Erdogan i kërkoi ministrit të Brendshëm t’i japë fund protestave në parkun Gejzi, brenda 24 orëve. Nga ana tjetër, presidenti turk Abdullah Gyl flet me gjuhë pajtuese. Ai tha se autoritetet duhet të dëgjojnë protestuesit. Mbrëmjen e së mërkurës, protestuesit u mblodhën sërish në sheshin Taksim, ndërsa policët ishin vendosur në dy anët e tij. Mijëra avokatë turq, në Ankara dhe Stamboll, protestuan kundër trajtimit të kolegëve të tyre në protestat anti-qeveritare. Dhjetra avokatë u ndaluan të martën, pasi shprehën kundërshtimin e tyre ndaj veprimeve të policisë, për të larguar protestuesit nga sheshi Taksim. Fondacioni turk për të Drejtat e Njeriut raportoi për 620 të plagosur, gjatë së martës, ndërsa prej nisjes së protestave 4 persona humbën jetën, mes tyre dhe një polic, dhe 5000 protestues e qindra efektivë të rendit mbetën të plagosur. / Top Channel

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›