E Hënë, 2 Nëntor 2026

Turqia: Masa e Izraelit për të ndaluar UNRWA-n, shkel ligjin ndërkombëtar

Ministria e Jashtme e Turqisë ka deklaruar se vendimi i Izraelit për të ndaluar agjencinë e ndihmës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara, UNRWA, të veprojë brenda vendit është një shkelje e qartë e ligjit ndërkombëtar që synon të parandalojë kthimin e palestinezëve të zhvendosur.

Në një deklaratë për mediat, Ministria e Jashtme turke tha se masa synon të pengojë përpjekjet për të arritur një zgjidhje me dy shtete për konfliktin izraelito-palestinez, duke shtuar se UNRWA ofron ndihmë jetike për palestinezët.

Izraeli argumenton se UNRWA është një pengesë për paqen, duke përjetësuar statusin e refugjatit palestinez dhe varësinë nga ndihma.

“Është detyrim ligjor dhe moral i komunitetit ndërkombëtar që të mbajë një qëndrim të fortë kundër përpjekjeve për të ndaluar UNRWA, e cila u krijua me një rezolutë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së,” thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme turke.

Gjithashtu, edhe Shtetet e Bashkuara dhe aleatë të tjerë të Izraelit kanë shprehur shqetësim serioz pas vendimit të parlamentit, që ndalon agjencinë e OKB-së për refugjatët palestinezë (Unrwa) të punojë brenda vendit.

Departamenti Amerikan i Shtetit tha se Unrëa luan një rol kritik në shpërndarjen e ndihmave humanitare në Rripin e Gazës dhe se askush nuk mund t’i zëvendësojë ata tani në mes të krizës.

“Ne vazhdojmë t’i bëjmë thirrje qeverisë së Izraelit të ndalojë zbatimin e këtij legjislacioni. Ne i bëjmë thirrje që të mos e miratojnë fare atë”, tha Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të SHBA, Mattheë Miller.

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, tha se ishte “shumë i shqetësuar” dhe se ligji rrezikon ta bëjë të pamundur “punën thelbësore të Unrëa për palestinezët, duke rrezikuar të gjithë përgjigjen humanitare ndërkombëtare në Gaza”.

Komisionerja gjermane për politikën e të drejtave të njeriut dhe ndihmën humanitare, Luise Amtsberg, paralajmëroi se masa do ta bënte të pamundur punën e UNRWA në Gazë, Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor, duke rrezikuar ndihmën jetike humanitare për miliona njerëz.

Qeveritë e Sllovenisë, Irlandës, Spanjës dhe Norvegjisë lëshuan një deklaratë të përbashkët duke dënuar ndalimin e Izraelit dhe paralajmëruan se vendosi një precedent “shumë serioz” për punën e OKB-së dhe të gjitha organizatave të sistemit shumëpalësh.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres paralajmëroi për “pasoja shkatërruese” nëse ligjet zbatohen dhe tha se ato do të ishin “të dëmshme për zgjidhjen e konfliktit izraelito-palestinez dhe për paqen dhe sigurinë në rajon në tërësi”.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›