U akuzua për fshehje pasurie, ish-anëtari i Gjykatës së Lartë, Shkëlzen Selimi shpallet i pafajshëm

Apeli i GJKKO ka lënë në fuqi pafajësinë për ish-anëtarin e Gjykatës së Lartë, Shkëlzen Selimi, duke rrëzuar ankimimin e SPAK. Ai ishte akuzuar për fshehje dhe mosdeklarim pasurie, por gjykata vendosi se akuza nuk provohet.
Ish-anëtari i Gjykatës së Lartë, Shkëlzen Selimi, është shpallur i pafajshëm edhe në Apelin e GJKKO, duke mbyllur përfundimisht një proces gjyqësor që zgjati rreth dy vite e gjysmë.
Çështja ndaj tij u ngrit nga SPAK në vitin 2022, me akuzën për fshehje dhe mosdeklarim pasurie. Sipas prokurorisë, hetimet kishin nxjerrë të dhëna se Selimi zotëronte disa pasuri të paluajtshme që nuk justifikoheshin me burime të ligjshme.
Për këtë arsye, u vendos sekuestrimi i disa pronave në Vlorë, përfshirë troje dhe pika karburanti në zona të ndryshme si Lungomare, Jonufër dhe Rruga Transballkanike.
Megjithatë, si në shkallën e parë ashtu edhe në Apel, gjykatat arritën në përfundimin se akuza nuk provohej.
Trupi gjykues i Apelit, i përbërë nga Engert Pëllumbi, Igerta Hysi dhe Dhimitër Lara, vendosi të lërë në fuqi pafajësinë, duke rrëzuar ankimimin e SPAK.
Ndërsa më herët, vendimi i pafajësisë ishte dhënë nga gjyqtarja Rudina Palloj, e cila argumentoi se fakti penal nuk ekziston.
Shkëlzen Selimi ka qenë pjesë e sistemit të drejtësisë për rreth dy dekada, deri në vitin 2018 kur u shkarkua nga procesi i vetingut për shkak të kontakteve të papërshtatshme me persona të përfshirë në krim të organizuar.
Edhe pse u përball me akuza për pasurinë, vendimet e gjykatave në të dyja shkallët e shpallën përfundimisht të pafajshëm për këtë çështje.
Gazetare: Lusi Përgjegji
/rtsh.al/