E Diel, 1 Nëntor 2026

U akuzua për ngacmim seksual nga 21-vjeçarja, Gjykata e Korçës merr vendimin për kirurgun

Gjykata e Korçës ka vendosur masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për mjekun Nikollaq Nunka, i akuzuar për ngacmim seksual ndaj një 21-vjeçareje brenda ambienteve spitalore.

Sipas burimeve nga seanca gjyqësore, mosha e mjekut, 72 vjeç, si dhe vepra penale për të cilën ai akuzohet, kanë ndikuar në vendimin e gjykatës për caktimin e masës më të butë të sigurisë.

Gjatë seancës, babai i 21-vjeçares ka ngritur edhe akuza për mitmarrje ndaj mjekut, duke pretenduar se i janë kërkuar 1000 euro për operacionin e vajzës së tij. Megjithatë, gjykata nuk e mori parasysh këtë pretendim për një masë tjetër sigurie, ndërsa prokuroria pritet të vijojë hetimet për të siguruar prova të mëtejshme.

Nga ana e tij, mjeku Nunka ka mohuar kategorikisht akuzat për ngacmim seksual.

“Nuk ka pasur në asnjë moment prekje të tepruara nga ana ime. Kam bërë vetëm detyrën që më kërkon profesioni. Nuk e di pse më akuzojnë për këtë gjë dhe nuk kanë asnjë provë ndaj meje”, mësohet të ketë deklaruar ai në seancë.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›