E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

U arratis nga Rusia në Norvegji, arrestohet mercenari rus i Wagner-it

Një ish-komandant paraushtarak rus, i cili kërkoi azil në Norvegji në fillim të këtij muaji, është arrestuar nga policia. “Andrey Medvedev po mbahet në bazë të Aktit të Emigracionit”- tha zëdhënësi i policisë, Jon Andreas Johansen, për BBC.

Avokati i tij, Brynjulf ​​Risnes, tha për BBC se 26-vjeçari ishte transferuar në një qendër paraburgimi në zonën e Oslos. Medvedev, i cili kaloi në Norvegji nga veriu i largët i Rusisë dy javë më parë, besohet të jetë anëtari i parë i Grupit Wagner që dezerton në Perëndim.

Grupi mercenar – i cili besohet se ka lidhje të ngushta me Kremlinin – është përdorur në shumë operacione ruse. Zyrtarët e Mbretërisë së Bashkuar vlerësojnë se grupi përbën 10% të forcave të Moskës në Ukrainë.

Arrestimi erdhi pasi “policia arriti në përfundimin se ai ishte një person shumë i rrezikshëm,”- tha Risnes për BBC. 

“Kjo është ajo që të gjithë donin të shmangnin, gjithësesi ne po kërkojmë zgjidhje”. Më parë, ai kishte qëndruar në një shtëpi të sigurt.

Arrestimi i Medvedev nënkupton se ai do të jetë nën një masë sigurie të shtuar, shtoi avokati.  Por ai ka theksuar se ish-mercenari ende po trajtohet si dëshmitar.

Medvedev pretendon se ka qenë dëshmitar i një morie krimesh lufte, duke përfshirë edhe “dezertorë që ekzekutoheshin” nga shërbimi i sigurisë së brendshme të Grupit Wagner, ndërsa luftonte në rajonin lindor të Ukrainës Donbas.

Vladimir Osechkin, themeluesi i grupit të të drejtave në mërgim rus Gulagu.net, tha se ish-komandanti vendosi të largohej pasi u informua se kontrata e tij do të zgjatej për një kohë të pacaktuar dhe se ai ishte dëshmitar i “metodave terroriste” të grupit.

Medvedev ka treguar se është i gatshëm të dëshmojë kundër figurave të larta të grupit mercenar. Pasi lajmi për arrestimin e Medvedev u publikua të hënën, Gulagu.net shkroi në mediat sociale se ish-komandantit i kishin thënë se do të dëbohej nga vendi.

Ai kishte frikë se do të “vritej brutalisht” nëse do të kthehej në Rusi, shtoi themeluesi i grupit të të drejtave. Por autoritetet norvegjeze nuk kanë deklaruar se  Medvedev do të dëbohej.

Risnes i tha BBC-së se ishte “absolutisht jo e vërtetë” që klienti i tij po përballej me deportim, por tha se mund të ketë pasur një keqkuptim mes Medvedev dhe policisë norvegjeze.

Osechkin nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese të BBC për koment.

“Ne nuk po kërkojmë të zbardhim jetën e Medvedevit. Ai ka bërë shumë gjëra të këqija në jetën e tij,”- shkroi Osechkin në Facebook.

“Por ai e ka parë dritën dhe është i gatshëm të bashkëpunojë me autoritetet norvegjeze dhe ndërkombëtare, në lidhje me Wagner Group dhe themeluesin e tij, Yevgeny Prigozhin,”- shtoi ai. BBC

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›