E Diel, 1 Nëntor 2026

U ekspozuan viktimat, Departamenti i Drejtësisë i SHBA-ve detyrohet të fshijë mijëra dokumente të dosjes Epstein

epartamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara (DOJ) ka tërhequr nga faqja e tij zyrtare mijëra dokumente që lidhen me çështjen e Jeffrey Epstein, pasi u konstatua se identitetet e viktimave ishin ekspozuar për shkak të redaktimeve të gabuara.

Avokatët që përfaqësojnë viktimat thanë se publikimi i dokumenteve të premten kishte përmbysur jetën e afro 100 të mbijetuarve, pasi në to përfshiheshin adresa email-i, fotografi nudo dhe të dhëna të tjera personale që lejonin identifikimin e tyre.

Të mbijetuarit reaguan ashpër, duke e quajtur këtë veprim “të papranueshëm” dhe duke theksuar se publikimi i emrave dhe detajeve personale i ka ekspozuar ata ndaj ritraumatizimit, kërcënimeve dhe rrezikut serioz për jetën.

DOJ pranoi gabimet, duke deklaruar se ato ishin rezultat i “gabimeve teknike ose njerëzore”, dhe njoftoi se të gjitha dokumentet e sinjalizuara janë hequr për redaktim të mëtejshëm. Siç shkruan BBC, në një letër drejtuar një gjyqtari federal, departamenti konfirmoi se po shqyrton edhe kërkesa të reja dhe po kontrollon nëse ka dokumente të tjera që kërkojnë redaktim shtesë.

Sipas autoriteteve amerikane, një numër i konsiderueshëm dokumentesh janë hequr edhe pas identifikimit të pavarur të shkeljeve, ndërsa procesi i verifikimit vijon.

Publikimi i dokumenteve ishte i detyrueshëm pas miratimit nga të dy dhomat e Kongresit të një mase ligjore që detyronte DOJ-në të bënte publike materialet e lidhura me Epstein, me kushtin që çdo informacion që mund të identifikonte viktimat të redaktohej.

Megjithatë, dy avokatë të viktimave i kërkuan një gjyqtari federal në Nju Jork të urdhëronte mbylljen e faqes që publikoi dokumentet, duke e cilësuar rastin si “shkeljen më të rëndë të privatësisë së viktimave brenda një dite në historinë e SHBA-ve”.

Sipas tyre, situata përbën një emergjencë që kërkon ndërhyrje të menjëhershme gjyqësore, pasi mijëra raste përmbanin emra dhe informacione personale të paredaktuara.

Disa viktima raportuan pasoja serioze pas publikimit, përfshirë kërcënime me vdekje dhe rrezik real për sigurinë e tyre personale, pasi u zbuluan edhe të dhëna bankare private.

Duke folur për BBC-në, e mbijetuara Annie Farmer tha se dëmi i shkaktuar nga ekspozimi i viktimave e ka bërë të vështirë përqendrimin te informacionet e reja që dolën nga dokumentet. Ndërkohë, një tjetër viktimë, Lisa Phillips, deklaroi se shumë të mbijetuar janë të zhgënjyer nga mënyra se si u menaxhua publikimi.

Ajo akuzoi DOJ-në se ka dështuar në tre pika kryesore: publikimin e plotë të dokumenteve, respektimin e afateve ligjore dhe mbrojtjen e identitetit të viktimave, duke shtuar se beteja ligjore do të vazhdojë.

Avokatja e njohur për të drejtat e grave, Gloria Allred, konfirmoi se në dokumentet e publikuara janë zbuluar emrat dhe madje fotografitë e disa viktimave që nuk kishin dalë kurrë publikisht më parë.

Nga ana tjetër, një zëdhënës i DOJ i tha medias amerikane se departamenti e merr seriozisht mbrojtjen e viktimave dhe se deri tani vetëm 0.1% e faqeve të publikuara përmbanin informacion të paredaktuar, duke theksuar se puna për korrigjimin e situatës po vijon pa ndërprerje.

Miliona dokumente që lidhen me Jeffrey Epstein janë bërë publike që nga miratimi i ligjit për transparencë vitin e kaluar, përfshirë miliona faqe, qindra mijëra imazhe dhe mijëra video.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›