E Enjte, 5 Nëntor 2026

U kapën me 5 kg drogë dhe municione luftarake/ Arresohet familja në Gramsh

Policia e Gramshit ka arrestuar tre persona, përkatësisht dy bashkëshortët dhe djalin e tyre pasi u kapën me 5 kg kanabis sativa dhe municione luftarake.

Në një njoftim, policia bën me dije se operacioni i koduar “Relatives”, u zhvillua nga Seksioni kundër Narkotikëve, në bashkëpunim me Seksionin Operacional dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja”, në Elbasan.

Të arrestuarit janë Ilir Çoniku, Marjana Çoniku  dhe Dejvi Çoniku

Njoftimi i policisë:

Elbasan/Vijojnë goditjet e njëpasnjëshme ndaj veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve dhe të armëmbajtjes pa leje.   

Finalizohet operacioni policor i koduar “Relatives”, nga Seksioni kundër Narkotikëve, në bashkëpunim me Seksionin Operacional dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja”, në DVP Elbasan. 

Ushtronin veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve, vihen në pranga një çift bashkëshortësh dhe djali i tyre.

Sekuestrohen 5 kg kanabis dhe një sasi municioni luftarak.

Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve dhe të armëmbajtjes pa leje, si rezultat i kontrolleve të shtuara dhe informacioneve të marra në rrugë operative, nga Seksioni kundër Narkotikëve, në bashkëpunim me Seksionin Operacional dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja”, në DVP Elbasan, u organizua dhe u finalizua me sukses operacioni policor i koduar “Relatives”, si rezultat i të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit: 

I.Ç., 46 vjeç, M. Ç., 41 vjeçe (bashkëshortë) dhe shtetasi D. Ç., 23 vjeç (djali i tyre).

Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ushtronin veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve. 

Gjatë kontrollit në dy banesa në përdorim nga kjo familje, në Gramsh, janë gjetur dhe sekuestruar 5 kg lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa, që dyshohet se janë prodhuar dhe përgatitur për shitje nga 23-vjeçari dhe prindërit e tij. 

Gjithashtu, gjatë kontrollit të dy banesave u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale edhe një sasi municioni luftarak.

Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprime të mëtejshme procedurale.  

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›