U konfliktuan me 5 pushues turq në Golem, arrestohen 2 persona

TIRANË, 21 korrik /ATSH/ Dy persona janë arrestuar në flagrancë dhe dy të tjerë janë proceduar penalisht pas një konflikti fizik me pesë pushues turq, të ndodhur në një subjekt në zonën e plazhit në Golem.
Policia bëri të ditur se, menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e stacionit të Policisë Plazh shkuan në vendngjarje dhe kryen veprimet për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të personave të përfshirë.
Si rezultat i hetimeve, Policia informon se u arrestuan në flagrancë shtetasit D. K., 33 vjeç, menaxher i hapësirës së plazhit, dhe E. Q., 37 vjeç, punonjës në të njëjtin subjekt, të dy banues në Durrës. Ata akuzohen për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim, dhe “Prishja e qetësisë publike”, pasi dyshohet se, gjatë konfliktit për motive të dobëta, kanë goditur me sende të forta dy pushues turq.
Policia shton se ka nisur edhe procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasit I. Sh., 48 vjeç, banakier, dhe T. D., 49 vjeç, punonjës sigurie në të njëjtin subjekt. Sipas Policisë, ata dyshohet se kanë goditur dhe kanosur tre shtetas të tjerë turq, ndaj akuzohen për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje”, kryer në bashkëpunim, dhe “Kanosja”.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës për veprime të mëtejshme.
/e.i/j.p/