E Enjte, 5 Nëntor 2026

U liruan nga gjykata serbe, tre policët mbërrijnë në Kosovë

Tre policët e kufirit të Kosovës, të cilët u liruan nga autoritetet e Serbisë, arritën në Kosovë përmes pikës kufitare të Merdarës.

Pasi kaluan kontrollin serb, ata u pritën nga makina të Policisë së Kosovës dhe u nisën drejt Prishtinës, pa dhënë asnjë deklaratë.

Serbia i liroi tre policët e rrëmbyer Rifat Zeka, Beqir Sefi e Mustafë Shemi këtë të hënë, pas 11 ditëve në paraburgim. Vendimi u mor në gjykatën e Kralevës, e cila vendosi gjykim në gjendje të lirë për akuzat e prodhimit, mbajtjes dhe trafikimit të paligjshëm të armëve dhe lëndëve plasëse.

 

Pas lirimit të tre punonjësve të policisë reagoi menjëherë kryeministri Albin Kurti:

ALBIN KURTI

KRYEMINISTER I REPUBLIKES SE KOSOVES

 “Konfirmojmë se 3 policët e rrëmbyer janë liruar. Edhe pse jemi të gëzuar që ata kthehen në familjet e tyre, ky rrëmbim konsiston në një shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut dhe duhet qortuar. Agresioni serb duhet të mbajë përgjegjësi.”

 

Për lirimin e policëve të kufirit të Kosovës, kryeministri hungarez, Viktor Orban, nuk vonoi të marrë meritat. Përmes një reagimi në rrjetet sociale, ai tha se policët u liruan në përputhje me kërkesën që i ka bërë ai autoriteteve serbe, gjatë vizitës së tij në Beograd.

Kryenegociatori serb për dialogun me Kosovën, Petar Petkoviç, deklaroi se vendimi për lirimin e policëve kosovarë ishte gjyqësor dhe jo politik.

Çështja e tre punonjësve të kufirit të Kosovës rriti edhe më shumë tensionet mes dy vendeve. Autoritetet në Prishtinë deklaruan se policët u rrëmbyen thellë brenda territorit të Kosovës, ndërsa pala serbe pretendoi se ata u arrestuan të armatosur brenda kufirit të saj.

Komuniteti ndërkombëtar nuk doli në një konkluzion të qartë për vendndodhjen e kapjes së tyre, megjithatë thirrjet për lirim të menjëhershëm dhe pa kushte ishin të vazhdueshme.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›