E Diel, 1 Nëntor 2026

U merrte para pacientëve për të kryer ekot, arrestohet mjeku imazherist në Fier

Një mjek imazherist në spitalin e Fierit, Gëzim Taullaj, është arrestuar pas një hetimi katërmujor, i realizuar në bashkëpunim me Prokurorinë e Fierit. Taullaj akuzohet për shpërdorim detyre dhe korrupsion pasiv, pasi merrte ryshfet nga pacientët për të kryer ekzaminime ekografike.

Sipas policisë, mjeku u kap në flagrancë duke marrë një shumë parash nga një pacient për t’i kryer një ekografi abdominale. Hetimi ka zbuluar se gjatë orarit të punës, Taullaj shpërdoronte detyrën duke vizituar pacientë në dy klinika private në Fier, ndërsa ishte i angazhuar në spitalin publik.

Gjatë kontrolleve në banesën e tij, u gjetën dhe u sekuestruan shuma të konsiderueshme parash, përfshirë 1.857.000 lekë, 39.155 euro, 2.370 paund dhe 75 dollarë. Këto sasi parash u morën si prova materiale për hetimet e mëtejshme.

Gëzim Taullaj është akuzuar për shpërdorim detyre dhe korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike, pasi përdorte pozitat e tij për të përfituar para në mënyrë të paligjshme. Pas arrestimit, materialet procedurale janë dërguar në Prokurorinë e Fierit për veprime të mëtejshme.

Ky rast është një tjetër goditje ndaj korrupsionit dhe abuzimeve në sistemin shëndetësor, ndërsa policia ka theksuar se hetimet do të vazhdojnë për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›