U nda nga jeta në moshën 86-vjeçare/ Patrick Stewart, një jetë mes Shekspirit, skenës dhe kinemasë, gjiganti i aktrimit që la gjurmë në historinë e filmit

Aktori britanik Patrick Stewart, i njohur në mbarë botën për rolet ikonike në “Star Trek” dhe “X-Men”, ka ndërruar jetë në moshën 86-vjeçare.
Me një karrierë të jashtëzakonshme në teatër, televizion dhe kinema, ai u shndërrua në një nga figurat më të rëndësishme të aktrimit të brezit të tij.
Patrick Stewart, aktori që i dha jetë kapitenit Jean-Luc Picard në serialin “Star Trek: The Next Generation” dhe Profesor Charles Xavier në sagën “X-Men”, është ndarë nga jeta në banesën e tij në Los Angeles.
Lajmi është bërë i ditur përmes një deklarate të publikuar në llogarinë e tij në Instagram. Sipas familjes, aktori ndërroi jetë nën kujdesin e bashkëshortes së tij, Sunny Ozell, pas një beteje me sëmundjen e Alzheimerit dhe demencën me trupa Lewy.
I lindur në Mirfield të West Yorkshire, Patrick Stewart e nisi rrugëtimin artistik që në moshë të re, duke u tërhequr veçanërisht nga veprat e William Shakespeare. Ai u bë pjesë e Royal Shakespeare Company, ku për 14 vite interpretoi role të rëndësishme në veprat klasike, duke ndërtuar një reputacion të fortë si aktor teatri.
Megjithatë, famën ndërkombëtare e arriti në vitin 1987, kur mori rolin e kapitenit Jean-Luc Picard në serialin “Star Trek: The Next Generation”. Interpretimi i tij u bë një prej simboleve më të njohura të historisë së televizionit fantastiko-shkencor.
Një tjetër kapitull i rëndësishëm në karrierën e tij ishte saga “X-Men”, ku Stewart interpretoi Profesor Charles Xavier, duke i dhënë personazhit një dimension të veçantë njerëzor, inteligjencë dhe dinjitet. Roli e bëri atë të dashur për disa breza shikuesish.
Përveç suksesit në ekran, Stewart ishte një emër i vlerësuar edhe në skenat e West End dhe Broadway. Interpretimi i tij në tragjedinë “Macbeth” u prit me vlerësime të shumta, ndërsa u nominua edhe për çmimin prestigjioz Tony.
Lajmi për ndarjen e tij nga jeta ka sjellë reagime të shumta nga kolegë dhe figura të njohura të industrisë së filmit.
Aktori Ian McKellen, mik i tij prej dekadash dhe bashkëpunëtor në filmat “X-Men”, e kujtoi Stewart si një njeri që meritonte të admirohej dhe të dashurohej. Edhe William Shatner, kolegu i tij nga universi “Star Trek”, e vlerësoi si një aktor të jashtëzakonshëm, duke theksuar se përmes personazhit Picard ai përcolli inteligjencë, hijeshi dhe humanizëm.
Ndërkohë, Hugh Jackman e cilësoi humbjen e tij si largimin e një prej figurave më të mëdha të aktrimit dhe një miku të jashtëzakonshëm. Homazhe erdhën edhe nga Marvel Studios, e cila vlerësoi kontributin e tij në krijimin e një prej personazheve më të dashur të universit “X-Men”.
Përtej skenës dhe kinemasë, Patrick Stewart u angazhua edhe në kauza sociale, veçanërisht në luftën kundër dhunës në familje, mbështetjen e shëndetit mendor të veteranëve dhe mirëqenien e kafshëve.
Në kujtimet e tij, aktori kishte rrëfyer edhe për fëmijërinë e vështirë, duke treguar për dhunën që nëna e tij përjetonte nga babai. Kjo përvojë ndikoi në angazhimin e tij të mëvonshëm në mbështetje të viktimave të dhunës në familje.
Patrick Stewart lë pas bashkëshorten Sunny Ozell dhe dy fëmijët e tij, Sophia dhe Daniel, nga martesa e parë.
Me largimin e tij, bota e artit humbet një aktor që arriti të ndërthurte madhështinë e teatrit klasik me suksesin e kinemasë moderne. Një karrierë që nisi me Shekspirin dhe u bë pjesë e historisë së filmit e televizionit, duke e kthyer Patrick Stewart në një emër që do të kujtohet gjatë në historinë e aktrimit.