E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

U ndje keq gjatë protestës, Berisha: Gjekmarkaj u godit nga Policia

TIRANË, 23 dhjetor/ATSH/ Nënkryetari i Partisë Demokratike, njëkohësisht nënkryetar i Kuvendit, Agron Gjekmarkaj gjatë protestës së opozitës ditën e sotme ku ishte përqendruar tek “Pallati me Shigjeta”, pati një problem shëndetësor, ku humbi ndjenjat dhe u dërgua në spitalin e Traumës.

Në përfundim të protestës, Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha i’u drejtua spitalit të traumës për të vëzhguar nga afër gjendjen shëndetësore të deputetit demokratë. Në dalje të spitalit, Berisha tha se sulmi ndaj deputetit Gjekmarkaj, ishte një akt i paprecedent.

“Shoqëruesi i tij, punonjës garde, iu ka treguar policëve dokumentin e gardës, që ka detyrë të mbrojë personalitetin, pra shoqëruesi u ka treguar dokumentin, kurse narkobanditët me uniformë e kanë marrë zvarrë edhe shoqëruesin. Akt i paprecedent në 30 vite ndaj një nënkryetari parlamenti”, tha Berisha.

Duke folur për gjendjen e deputetit të PD, Berisha tha; “zoti Gjekmarkaj po merr ndihmën e parë, është vizituar nga mjekët me përgjegjësi, do të qëndrojë sonte në vëzhgim dhe shpresojmë që gjendja e tij të mos përkeqësohet natën, por të përmirësohet dhe të largohet nesër nga spitali”.

Sa i takon qëndrimit të Policisë së Tiranës, që përgënjeshtroi akuzën e ngritur nga Berisha, duke theksuar se është e pavërtetë që Gjekmarkaj është goditur nga oficerët e Policisë, Berisha ritheksoi qëndrimin e tij.

“Zoti Gjekmarkaj është rrethuar në mënyrën më të pakonceptueshme nga 15 narkokomisarë dhe policë. Po si mund të rrethohet një njeri, një deputet, një nënkryetar parlamenti nga 15, dhe pse rrethohet, ata e kanë qëlluar, se pse do humbiste ndjenjat ai? Kur e panë që humbi ndjenjat, pastaj sigurisht e kuptuan se çfarë bënë.

Akti është një krim publik i shëmtuar, i porositur se të rrëmbesh, të marrësh Agron Gjekmarkajn si protestuesin më agresiv, tallesh me veten tënde”, përfundoi Berisha.

/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›