U nis nga Bjellorusia, Polonia zbulon një objekt në hapësirën e saj ajrore, dyshohet se ishte një balon vëzhgimi

Ministria e Mbrojtjes e Polonisë deklaroi të shtunën se ka zbuluar një objekt në hapësirën ajrore polake, i cili ka fluturuar nga Bjellorusia. Dyshohet se objekti është një balonë vëzhgimi.
Ministria polake, nëpërmjet një postimi në Twitter, bëri të ditur se kontakti i radarit me objektin humbi pranë Rypin, një qytet në Poloninë qendrore. Ministria tha se Forcat e Mbrojtjes së Territorit polak kanë nisur kërkimin e objektit.
Ky zbulim i raportuar të shtunën, pason dy inkursione të tjera të njohura në hapësirën ajrore të Polonisë, që kur Rusia nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë ndaj Ukrainës, e cila shtrihet në kufirin lindor polak.
Në nëntor, dy shtetas polakë u vranë, kur një raketë ra në Poloninë lindore. Raketa u lëshua nga forcat ajrore ukrainase, në përpjekje për të zmbrapsur një sulm në shkallë të gjerë nga Rusia.
Zyrtarët ushtarakë dhe ata politikë në Poloni, po përballen edhe me pyetjet, në lidhje me një objekt tjetër që zbarkoi në territorin polak në dhjetor, por që u zbulua vetëm në muajin prill. Apnews
/rtsh.al/