U përfshi në aksident rrugor, AMP arreston në flagrancë efektivin e komisariatit në Cërrik

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka arrestuar një punonjës policie që shërbente në komisariatin e Cërrikut për një aksident rrugor të ndodhur më 28 dhjetor 2024. 57-vjeçari, i cili drejtonte një automjet “Volkswagen” në rrugën nacionale Cërrik-Gramsh, pranë fshatit Shtëpanjë, ka pësuar përplasje me një “Nissan”, ku si pasojë e aksidentit, drejtuesja e këtij mjeti ka marrë lëndime.
Pas aksidentit, u krye testi i alkoolit dhe rezultoi se punonjësi i policisë ishte i dehur në momentin e ngjarjes. Për këtë arsye, ai është arrestuar dhe akuzohet për “Shkeljen e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Drejtimin e automjeteve në mënyrë të parregullt”. Hetimet për këtë ngjarje janë në vazhdim.
NJOFTIMI I AMP:
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Elbasan-Korçë) ka arrestuar në flagrancë punonjësin e policisë Inspektor H. B., 57 vjeç, me detyrë Trupë shërbimi në Komisariatin e Policisë Cërrik, i dyshuar për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.
Arrestimi i këtij punonjësi policie u krye pasi më datë 28.12.2024, rreth orës 18:50, ndërsa drejtonte automjetin “Volkswagen” në rrugën nacionale Cërrik-Gramsh, pranë fshatit Shtëpanjë, ai është përfshirë në aksident rrugor me automjetin “Nissan”, ku si pasojë ka pësuar lëndime/dëmtime drejtuesja e këtij mjeti, shtetasja M. XH.
Gjithashtu, nga alkool testi i kryer ndaj shtetasit H. B., përqëndrimi i alkoolit ka rezultuar 1.07 mg/L.
AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të strukturave mbikëqyrëse, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 9090, ose duke dërguar Email në adresën ankesa@amp.gov.al.