U përplas me Ruçin, 4 muaj burg

Makina e Ledio Ruçit pas aksidentit
Gjykata: Edi Lika, fajtor se hyri me të kuqe, nga ngjarja vdiq Brunilda Pinderi, u plagos dhe një tjetër.
Aksidenti te Rruga e Elbasanit, dënohet shoferi i mini cooper-it.
Katër muaj burg është dënimi i dhënë nga Gjykata e Tiranës për personin që u përplas në aksident me Ledio Ruçin, djalin e Gramoz Ruçit, pak muaj më parë në Tiranë. Gjykata ka shpallur fajtor dhe ka dënuar me burg Edi Likën, drejtuesin e automjetit Mini Cooper, i cili mbrëmjen e 20 nëntorit 2011 te Rruga e Elbasanit, u përplas me një BMW X6-ta të drejtuar nga Ledio Ruçi, djali i deputetit të PS-së, Gramoz Ruçi. Sipas Gjykatës, Lika ishte fajtor i aksidentit ku mbeti e vrarë 28-vjeçarja Brunilda Pinderi dhe u plagosën lehtë personat e tjerë që ndodheshin në dy automjetet. Një vendim i shpallur pak ditë më parë e deklaroi fajtor Likën për veprën penale të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor. Sipas vendimit, Edi Lika (Cani) u dënua fillimisht me 9 muaj burg. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, masës së parë iu zbrit një e treta duke e dënuar përfundimisht të pandehurin Edi Hysen Lika me 4 muaj burgim. I njëjti vendim i hoqi atij të drejtën e drejtimit të automjeteve për një periudhë dyvjeçare. Vuajtja e dënimit fillon nga data 21.11.2011, dita e arrestimit të tij në flagrancë, thuhej në dispozitivin e vendimit të Gjykatës. Sipas burimeve zyrtare të Gjykatës, në diskutimin përfundimtar, organi i akuzës kërkoi dënimin me 1 vit burg të të panehurit Lika. Gjykimi i 34-vjeçarit Lika në Gjykatën e Tiranës zgjati vetëm dy seanca. Dosja në ngarkim të tij u shqyrtua nga një treshe e kryesuar nga gjyqtari Bujar Krasniqi dhe anëtarë, gjyqtaret Manjola Xhaxho dhe Regleta Panajoti.
AKSIDENTI
Aksidenti rrugor, ku u përfshi edhe automjeti i Ledio Ruçit, ndodhi tek ura e Lanës, në nisje të Rrugës së Elbasanit. Automjeti BMW X6, i drejtuar nga Ruçi, po lëvizte nga rruga Xhorxh Bush drejt Rrugës së Elbasanit, ndërsa mini cooper-i i drejtuar nga Lika lëvizte nga qendra ETC drejt Bërrylit, në Unazë. Si rezultat i përplasjes me pjesën ballore të mini cooper-it me pjesën e përparme të djathtë të BMW X6,ky i fundit është rrotulluar me 90 gradë, pra ka ndryshuar drejtimin e lëvizjes pingul dhe për inerci është përplasur me trotuarin. Pasi ka kaluar atë, ka ndaluar te një kolonë betoni, pohonte Prokuroria në kërkesën për gjykim. Fillimisht, të dy drejtuesit e automjeteve pretendonin se ishin futur me semafor jeshil në kryqëzim. Nga akt-ekspertimet e kryera në fazën e hetimeve rezultoi e provuar se shkaktari i aksidentit ishte automjeti Mini cooper i drejtuar nga Edi Lika, i cili ishte futur me semafor të kuq. Aksidenti ka ndodhur në një kryqëzim ku fushëpamja është e kufizuar për shkak të parmakut të ngritur të urës. Meqenëse ky kryqëzim është me semafor dhe fakti tjetër që shpejtësitë e lëvizjes kanë qenë pothuajse të përafërta, aksidenti ka ndodhur në sekondën psikike dhe ata nuk kanë pasur mundësi të shmangnin aksidentin. Duke u bazuar tek fakti se aksidenti ka ndodhur natën, atëherë drejtuesi i autoveturës tip Mini cooper, i cili lëvizte në bulevardin B.Curri, duhet ti jepte përparësi mjetit që vinte nga e majta, pasi ai kishte semaforin e kuq dhe i ishte ndaluar lëvizja, thuhej në akt-ekspertimin e paraqitur nga akuza.
Llogaritja e burgut
Shtetasi Edi Lika u arrestua në Spitalin Ushtarak vetëm disa orë pas ngjarjes, më 20 nëntor. Nëse llogaritet si kohë paraburgimi, deri në shpalljen e vendimit më 24 shkurt, ai ka bërë tre muaj paraburgim. Në llogaritjen e dënimit nga Gjykata, një ditë qëndrim në paraburgim llogaritet sa një ditë e gjysmë burg.
ARMAND BAJRAMI