E Hënë, 2 Nëntor 2026

U strehua dy muaj në xhamitë e Tiranës, dëshmia e Daut Lazes: Më ndihmuan besimtarët

Xhamitë e kryeqytetit duket se kanë qenë streha ku për dy muaj qëndroi i fshehur Daut Laze, i cili u arratis nga burgu i Shënkollit në fillim të muajit shkurt të këtij viti.

Ai u prangos mbrëmjen e së hënës nga efektivët e Komisariatit nr. 6 dhe në dëshminë e parë ka rrëfyer si ia ka dalë të fshihet dhe kush e ka ndihmuar.

“Kam qëndruar i fshehur në Tiranë. Kryesisht kam qëndruar në Fresk, Kombinat dhe Astir. Kam përfituar nga muaji i Ramazanit. Jam fshehur në xhami dhe më kanë ndihmuar besimtarë të fesë islame,” mësohet se deklaroi i arrestuari para oficerëve të policisë.

Lazja ishte arrestuar në nëntor të vitit 2021 për veprën penale të dhunës në familje dhe kishte marrë masë sigurie trajtim mjekësor, por gjatë ndërrimit të turneve dhe kryerjes së apelit në Institucionin e Posaçëm Mjekësor në Burgun e Shënkollit, ai shfrytëzoi momentin për t’u larguar nga rrethimi i burgut, duke kapërcyer murin në anën jugore të burgut.

Gazetare: Flutura Tota

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›