U vuri zjarrin disa herë lokaleve dhe shtëpisë së nënës së Noizyt, arrestohet kushëriri i këngëtarit

Policia ka vendosur në pranga, Eraldo Musteqjan, kushëririn e këngëtarit Rigels Rajku apo i njohur ndryshe me emrin Noizy, pasi 26 vjeçari i ka vendosur për të dytën herë zjarrin biznesit të këngëtarit.
Sipas policisë, Musteqja i ka vendosur 2 herë, zjarrin biznesit të Noizyt, një herë ditën e sotme dhe një herë më datë 11 qershor në lagjen “Currilat”, të Durrësit. Ndërsa i kishte vendosur flakën edhe derës së banesës së nënës së Noizyt.
Në momentin e arrestimit 26-vjeçarit Musteqja iu sekuestrua edhe një mjet prerës.
“Nga veprimet e shpejta dhe profesionale policore, 26-vjeçari (lidhje familjare e shtetasve të dëmtuar) u kap në flagrancë mëngjesin e sotëm, pasi i kishte vënë zjarrin një lokali në lagjen “Currilat”, në pronësi të shtetasit B. R.
Gjithashtu, nga hetimet dyshohet se i njëjti shtetas i ka vënë zjarrin të njëjtit lokal, më datë 11.06.2023, si dhe derës së banesës së nënës së pronarit të këtij lokali, më datë 10.06.2023. Në momentin e arrestimit, 26-vjeçarit iu gjet dhe iu sekuestrua një mjet prerës (thikë)”, thuhet në njoftimin e policisë.
Ndërkaq, vijon puna hetimore për dokumentimin e plotë ligjor të rrethanave të këtyre rasteve, ndërsa materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.
/rtsh.al/