U zhduk tri ditë më parë, gjendet i vrarë kamerieri
Mat
Është gjetur i masakruar trupi i pajetë i 23-vjeçarit Fatjon Barmetaj, zhdukja e të cilit ishte denoncuar tri ditë më parë nga familjarët. Lajmin e konfirmuan burime zyrtare të Policisë së Matit, pasditen e së martës. Trupi i pajetë u gjet fillimisht nga disa kalimtarë të rastit në një zonë rurale pranë Burrelit dhe pas sinjalizimit të policisë, forcat e rendit verifikuan identitetin e viktimës si i riu Barmetaj. Dëmtimet e shumta dhe të qarta në trupin e viktimës, bëjnë që paraprakisht të dyshohet vetëm për pistën e vrasjes. 23-vjeçari, i cili punonte dhe jetonte në Tiranë, ishte nisur drejt Burrelit për të takuar familjarët e tij tri ditë më parë, por nuk kishte mbërritur kurrë në shtëpi. Aktualisht, policia është duke hetuar mbi konfliktet e mundshme që mund të ketë pasur 23-vjeçari dhe që mund të kenë shërbyer si motiv për kryerjen e këtij krimi. Policia tha se po bashkëpunon edhe me Policinë e Tiranës, me qëllim për të zbuluar ndonjë konflikt të mundshëm të 23-vjeçarit gjatë qëndrimit të tij në kryeqytet, ndërkohë që nga policia janë shoqëruar shumë persona, si në Tiranë, ashtu edhe në Mat.
U zhduk tri ditë më parë, gjendet i vrarë kamerieri burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip