E Diel, 1 Nëntor 2026

UASHINGTON – SHBA-ja dëbon një diplomat kuban pas përplasjes në debatin e OKB-së

NJU JORK, 28 tetor /ATSH-DPA/ – Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dëbuar diplomatin kuban pas përplasjes në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB), në një tjetër shenjë të përkeqësimit të marrëdhënieve mes Uashingtonit dhe Havanës.

Diplomati ishte pjesë e delegacionit të Kubës në OKB.

Ambasadori amerikan në OKB, Mike Waltz, tha më herët në një intervistë se sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, kishte nënshkruar dëbimin e diplomatit, të cilin e akuzoi se kishte shtyrë fizikisht një diplomat amerikan dhe ishte përpjekur ta godiste.

Përplasja ndodhi të martën, gjatë një seance të OKB-së ku diskutohej rezoluta kundër embargos amerikane ndaj Kubës, e cila është në fuqi prej dekadash.

Gjatë fjalimit të Waltz, përfaqësuesit kubanë kundërshtuan me zë të lartë deklaratat e tij dhe e ndërprenë disa herë.

Pamjet filmike tregojnë diplomatin kuban, i cili më pas u dëbua, duke u përpjekur të pengonte një person që po e filmonte.

Në një letër drejtuar sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, António Guterres, pala kubane paraqiti versionin e saj të ngjarjes, duke pretenduar se diplomati ishte vënë nën presion nga një përfaqësues amerikan.

Gjatë fjalimit të tij, Waltz kritikoi ashpër udhëheqjen kubane, që nga koha e ish-presidentit Fidel Castro.

Ministri i Jashtëm i Kubës, Bruno Rodríguez, u afrua drejt foltores, ku Waltz iu drejtua me fjalët: “Kjo nuk është diktatura juaj komuniste” dhe “Kjo është Amerika. Qëndroni prapa!”.

Përplasja ndodhi në një kohë kur marrëdhëniet mes dy vendeve janë përkeqësuar, ndërsa SHBA-ja vijon të ushtrojë presion ndaj Kubës përmes kufizimeve ekonomike dhe diplomatike. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›