UASHINGTON – SHBA miraton shitjen e armëve me vlerë 11 miliardë dollarë për Tajvanin

UASHINGTON, 18 dhjetor /ATSH-DPA/- Shtetet e Bashkuara të Amerikës miratuan dje shitjen e armëve Tajvanit me vlerë rreth 11,1 miliardë dollarë – për të ndihmuar në rritjen e aftësisë mbrojtëse të ishullit.
Agjencia e SHBA-së për Bashkëpunim dhe Siguri në Mbrojtje (DSCA) tha në tetë deklarata të veçanta që detajonin shitjet se – ato do të ndihmonin në përmirësimin e sigurisë së vendit marrës dhe në ruajtjen e stabilitetit politik, ekuilibrit ushtarak dhe progresit ekonomik në rajon.
Agjencia amerikane theksoi gjithashtu se shitjet nuk do të ndryshonin ekuilibrin bazë ushtarak në rajon.
Marrëveshja ka të ngjarë të shkaktojë zemërim nga Pekini, i cili ka kundërshtuar çdo shkëmbim zyrtar midis SHBA-së dhe Tajvanit.
Udhëheqja në Pekin e konsideron Tajvanin si pjesë të Republikës Popullore të Kinës, pavarësisht se ishulli ka qeverinë e vet të pavarur që nga viti 1949.
Në nëntor, Tajvani njoftoi një buxhet shtesë prej 40 miliardë dollarë amerikanë – për të mbuluar tetë vitet e ardhshme, në atë që presidenti Lai Ching-te e quajti një veprim për të nënvizuar angazhimin e ishullit për të mbrojtur demokracinë e tij.
Presidenti shtoi se Tajvani synonte të përdorte fondet e planifikuara për vitet 2026-2033 për të financuar blerjet e armëve të reja nga Shtetet e Bashkuara te Amerikës dhe për të forcuar aftësitë e tij mbrojtëse asimetrike. //a.i/