E Enjte, 5 Nëntor 2026

UASHINGTON – Scholz: Evropa përballet me kërcënimin që Rusia paraqet për sigurinë evropiane

UASHINGTON, 11 korrik /ATSH-DPA/- Kancelari gjerman Olaf Scholz ka justifikuar dislokimin e planifikuar të raketave amerikane me rreze të gjatë veprimi deri në 2500 kilometra në territorin gjerman, duke vënë në dukje kërcënimin që paraqet Rusia për sigurinë evropiane.

“Ne e dimë se ka pasur një grumbullim të jashtëzakonshëm të armëve në Rusi, me armë që kërcënojnë territorin evropian”, tha sot Scholz në samitin e NATO-s, në Uashington.

Gjithashtu, ka patur diskutime të gjata për përgjigjen ndaj parandalimit konvencional, përveç ombrellës bërthamore të NATO-s.

Dislokimi i armëve me rreze të gjatë ishte përcaktuar një vit më parë në “Strategjinë e parë të Sigurisë Kombëtare të Gjermanisë”.

“Kjo është arsyeja pse vendimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës përshtatet në mënyrë të përkryer me këtë strategji, të cilën ne e kemi diskutuar publikisht për një kohë të gjatë”, tha Scholz.

Për herë të parë që nga Lufta e Ftohtë, SHBA po planifikon të stacionojnë sisteme armësh në Gjermani që mund të arrijnë deri në Rusi.

Kur u pyet nëse ai priste rezistencë më të madhe ndaj kthimit të armëve të tilla me rreze të gjatë në Gjermani, duke përfshirë edhe nga brenda Partisë së tij të qendrës së majtë Socialdemokrate (SPD), Scholz tha: “Ky vendim ka marrë një kohë të gjatë dhe nuk është befasi për këdo që është i përfshirë në politikën e sigurisë dhe paqes”.

Scholz dhe Shtëpia e Bardhë ranë dakord dje për dislokimin e raketave në Gjermani.

Nga viti 2026, raketat “Tomahawk”, raketat anti-ajrore “SM-6” dhe armët supersonike të zhvilluara rishtazi do të dislokohen në Evropë, me qëllimin e deklaruar për të siguruar mbrojtje më të mirë për aleatët e NATO-s. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›