E Martë, 3 Nëntor 2026

UASHINGTON – Trump njofton tarifat reciproke ndaj vendeve në mbarë botën

UASHINGTON, 2 prill /ATSH/- Presidenti amerikan, Donald Trump njoftoi sot në mbrëmje një raund gjithëpërfshirës “tarifash reciproke” ndaj vendeve në mbarë botën – gjatë një fjalimi në Kopshtin e Trëndafilave (Rose Garden), në Shtëpinë e Bardhë, sipas CNBC.

“Kjo është një nga ditët më të rëndësishme, në historinë amerikane. Është shpallja jonë e pavarësisë ekonomike. Tani është radha jonë të përparojmë”, tha Trump.

Shtëpia e Bardhë zbuloi një tarifë bazë prej 10% për të gjitha vendet – që hyn në fuqi më 5 prill.

Tarifa më të larta do të vendosen ndaj vendeve që vendosin tarifa më të larta në SHBA.

Kanadaja dhe Meksika janë përjashtuar nga regjimi i ri tarifor për momentin.

Administrata e Trump njoftoi sot se Kanadaja dhe Meksika do të përjashtoheshin, për momentin nga tarifat bazë prej 10% si dhe disa vende specifike nga taksat reciproke.

Tarifa prej 10% do të hyjë ne fuqi vetëm kur të ndërpriten ose pezullohen detyrimet fillestare prej 25% – që Trump vendosi për importet kanadeze dhe meksikane.

Tarifa prej 25% bazohej në pretendimet se vendet fqinje nuk po frenonin fluksin e drogës dhe krimit në SHBA.

Trump tregoi një tabelë të madhe ku përshkruheshin tarifat reciproke që ai kishte vendosur në vende të ndryshme.

Grafiku – ku listoheshin vende të tilla si Kina, Vietnami, Japonia, India, Zvicra dhe Bashkimi Evropian – krahasonte tarifat dhe kostot e tjera tregtare që Trump ka vendosur në importet e SHBA-së, ndersa tarifat reciproke pritet hyjnë në fuqi.

Trump tha se tarifat nuk do të ishin ‘plotësisht reciproke’ duke pasur parasysh barrierat jomonetare.

“Kjo shifër e përgjysmuar përfshin normën e kombinuar të të gjitha tarifave të tyre, barrierat jomonetare dhe forma të tjera mashtrimi”, tha presidenti Trump.

Trump tha se po premton atë që ai e quajti “Epoka e Artë e Amerikës”, të cilën ai beson se do të sigurojë më shumë vende pune dhe prodhim vendas – duke sjellë një epokë të re të prosperitetit të brendshëm.

“Ne do të rimbushim bazën tonë industriale vendase, do të hapim tregjet e huaja dhe do të thyejmë barrierat e tregtisë së jashtme”, tha Trump.

“Dhe në fund të fundit më shumë prodhim në vend – do të nënkuptojë konkurrencë më të fortë dhe çmime më të ulëta për konsumatorët. … Ne do të kthehemi shumë fuqishëm”, theksoi presidenti amerikan.

“Vendet e reja të punes dhe fabrikat do të kthehen “të zhurmshme” dhe tarifat reciproke do të sjellin një “epokë të artë” për vendin”, theksoi ai.

Trump konfirmoi se tarifat prej 25% për importet e makinave do të nisnin duke filluar nga e enjtja në orën 12:01 të mëngjesit.

“Asnjë nga kompanitë tona nuk lejohet të shkojë në vende të tjera”, shtoi ai.

“Kjo është arsyeja pse ne do të vendosim një tarifë prej 25% për të gjitha automobilat e prodhimit të huaj”, tha ai.

Trump përfundoi fjalimin pas rreth 50 minutash dhe nënshkroi një urdhër ekzekutiv që impononte planin e tij gjithëpërfshirës të tarifave reciproke.

“Do të jetë një ditë që shpresojmë se do të shikoni prapa në vitet në vijim dhe do të thoni se kisha të drejtë, dhe se kjo ka rezultuar të jetë një nga ditët më të rëndësishme në historinë e vendit tonë”, tha Trump. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›