UEFA ndryshon stadiumin ku do luhet ndeshja Serbi-Shqipëri nga Beogradi në Leskovac

TIRANË, 15 shtator/ATSH/ Ndeshja Serbi-Shqipëri, e vlefshme për kualifikueset e Kupës së Botës 2026, do të zhvillohet në stadiumin “Gradski Stadion Dubočica” në Leskovac, më 11 tetor në orën 20:45.
Ky vendim është marrë nga UEFA pas kërkesës së Federatës Serbe të Futbollit për zhvendosjen e takimit nga stadiumi “Rajko Mitic” në Beograd dhe pas dakordësisë së Federatës Shqiptare të Futbollit.
Sipas FSHF-së, arsyet kryesore për ndryshimin e vendndodhjes lidhen me masat e sigurisë dhe nevojën për të garantuar zhvillimin e ndeshjes në një ambient të kontrolluar dhe të sigurt për të gjithë pjesëmarrësit.
Përfaqësuesja e Shqipërisë dhe Serbisë janë pjesë e Grupit K. Shqipëria ka luajtur pesë ndeshje dhe ka 8 pikë, ndërsa Serbia katër ndeshje dhe ka 7 pikë.
Ndeshja e parë Shqipëri – Serbi, e vlefshme për kualifikueset e Kupës së Botës 2026 u zhvillua më 7 qershor në stadiumin “Arena Kombëtare” dhe u mbyll me rezultatin 0-0.
/k.s/j.p/