E Diel, 1 Nëntor 2026

UKRAINË – Njëzet e pesë të vrarë nga sulmet ruse në Ternopil, përfshirë tre fëmijë

KIEV, 19 nëntor /ATSH/ – Të paktën 25 persona, përfshirë tre fëmijë, kanë humbur jetën në një sulm rus me dronë dhe raketa në qytetin perëndimor të Ternopilit, ku janë goditur dy blloqe banesash, njoftuan shërbimet e shpëtimit të Ukrainës, sipas BBC.

Zyrtarët thanë se 73 persona të tjerë u plagosën, mes tyre 15 fëmijë, në një nga sulmet më vdekjeprurëse në Ukrainën perëndimore që nga nisja e luftës së plotë në vitin 2022.

Sulme u raportuan edhe në rajonet perëndimore të Lvivit dhe Ivano-Frankivskut, ndërsa në qytetin verior të Kharkivit tre distrikte u goditën nga dronët, duke plagosur mbi 30 persona.

Sipas forcave ajrore të Ukrainës, janë rrëzuar 442 nga 476 dronët e lëshuar nga Rusia dhe 41 nga 48 raketat. Megjithatë, mbrojtja ajrore e Ukrainës mbetet e tejngarkuar.

Objekte energjetike, rrugë dhe infrastrukturë civile u dëmtuan në zona të tjera të vendit.

Rusia ka intensifikuar goditjet ndaj rrjetit energjetik të Ukrainës ndërsa afrohet dimri i katërt i luftës, duke synuar të dobësojë moralin, logjistikën dhe industrinë mbrojtëse të Ukrainës. Furnizimi me energji tashmë është i kufizuar, dhe pas sulmeve të fundit, ministria e energjisë njoftoi shkurtimet e reja të energjisë në gjithë vendin.

Ministria ruse e mbrojtjes konfirmoi se kishte kryer një “sulm masiv me armë me rreze të gjatë veprimi”, duke pretenduar se shënjestra ishin komplekset ushtarake-industriale dhe sektori energjetik i Ukrainës, “në përgjigje të sulmeve ukrainase ndaj objektivave civile”.

Shkatërrimi u bë i dukshëm menjëherë. Një video e shpërndarë nga Zelensky tregonte se një nga dy pallatet ishte shembur tërësisht nga kati i tretë deri në të nëntin. Presidenti tha se kishte “shkatërrim të madh” dhe se shumë viktima ishin ende nën rrënoja.

Re tymi ngriheshin nga dritaret, ndërsa zjarre të vogla digjeshin pranë ndërtesës./  /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›