UKRAINË – Rusia shënjestron objektet e gazit natyror, në sulmin më të madh të luftës

MOSKË, 3 tetor /ATSH/- Rusia nisi sulmin e saj më të madh të luftës gjatë natës kundër objekteve të gazit natyror të drejtuara nga Grupi shtetëror “Naftogaz” i Ukrainës, thanë sot zyrtarët, sipas AP.
Rusia lëshoi gjithsej 381 dronë dhe 35 raketa në Ukrainë.
Zyrtarët ukrainas e konsideruan sulmin rus si një përpjekje për të shkatërruar rrjetin elektrik të Ukrainës përpara dimrit.
“Ky është një terror i qëllimshëm kundër objekteve civile – që ofrojnë gaz për njerëzit”, tha në një deklaratë Serhii Koretskyi, drejtor ekzekutiv i kompanisë shtetërore të gazit të Ukrainës “Naftogaz”.
“Nuk ka qëllim ushtarak. Ky është një tjetër akt i keqdashjes ruse që synon vetëm prishjen e sezonit të ngrohjes dhe privimin e ukrainasve nga ngrohtësia në dimër”, shtoi ai.
“Rusia lëshoi 35 raketa, shumë prej tyre balistike, dhe 60 dronë në objektet e nxjerrjes dhe përpunimit të gazit në objektet e “Naftogaz”, në rajonet verilindore, në Kharkiv dhe Poltava, disa prej të cilave pësuan dëme të mëdha”, tha Koretskyi.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se forcat e saj kishin nisur një sulm masiv – duke përdorur dronë dhe armë të drejtuara kundër kompleksit ushtarako-industrial të Ukrainës dhe infrastrukturës së gazit dhe energjisë që e mbështet atë. //a.i/