E Enjte, 5 Nëntor 2026

UKRAINË – Zelensky mirëpret lirimin e të burgosurve nga Rusia

KIEV, 29 qershor /ATSH-DPA/- Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka mirëpritur kthimin e të burgosurve ukrainas nga Rusia, duke përfshirë Nariman Dzhelyal, një udhëheqës i tatarëve të Krimesë.

“Dhjetë civilë dhe 90 ushtarë u liruan këtë javë”, tha Zelensky në një videomesazh.

“Deri më tani janë 3 310 të burgosur të liruar në Ukrainë nga burgjet ruse”, tha ai.

“Ne duhet t’i gjejmë të gjithë njerëzit tanë dhe t’i kthejmë në Ukrainë, secili prej tyre në burg ose të deportuar – të rritur dhe fëmijë, ushtarë dhe civilë”, shtoi Zelensky.

Dzhelyal ishte në mesin e 10 civilëve të kthyer të premten. Zelensky zhvilloi bisedime të shkurtra me udhëheqësin tatar . Ata u takuan për herë të fundit në vitin 2021.

Menjëherë pas atij takimi dhe para pushtimit rus të shkurtit 2022, Dzhelyal u arrestua në Krime, e cila u aneksua ilegalisht nga Rusia në vitin 2014.

Ai u dënua më pas me 17 vjet burg pasi u shpall fajtor për shpërthimin e një gazsjellësi.

Mes të liruarve ishin dy priftërinj të Kishës Katolike Greke të Ukrainës.

Shkëmbimi i fundit i të burgosurve mes Kievit dhe Moskës disa ditë më parë – përfshinte një metropolit të Kishës Ortodokse ukrainase pro-ruse, i cili mori një dekoratë nga Patriarku Kirill pas mbërritjes së tij në Moskë.//a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›