UKRAINË – Zelensky premton ristrukturimin e mbrojtjes ajrore

KIEV, 10 shkurt /ATSH-DPA/– Mbrojtja ajrore e Ukrainës do t’i nënshtrohet një ristrukturimi për t’iu përgjigjur më mirë sulmeve të vazhdueshme ruse, deklaroi sot presidenti Volodymyr Zelensky.
“Në disa rajone, mënyra se si funksionojnë ekipet do të ristrukturohet plotësisht”, tha Zelensky në video mesazhin e tij të mbrëmjes, duke shtuar se ndryshimet do të prekin sistemet e përgjimit, grupet e lëvizshme të zjarrit si dhe të gjithë përbërjen e mbrojtjes ajrore lokale.
Sipas tij, urdhrat përkatës janë dhënë gjatë një konsultimi me drejtuesit ushtarakë.
Ukraina ka pësuar dëme të mëdha nga sulmet ruse me dronë dhe raketa gjatë një dimri të ashpër.
Me temperaturat që kanë zbritur shumë nën minus 10 gradë Celsius, energjia elektrike dhe ngrohja janë ndërprerë në shumë qytete të vendit si pasojë e goditjeve ruse.
Miliona ukrainas detyrohen të përballen çdo ditë me mungesë të ngrohjes ose energjisë elektrike për orë të tëra.
Në fjalimin e tij, Zelensky u ndal edhe te problemet e vazhdueshme energjetike.
Ai falënderoi shërbimet e mbrojtjes civile, partnerët ndërkombëtarë të Ukrainës për dërgesat e ndihmës, si dhe elektricistët e shumtë të kompanive energjetike që po përpiqen të riparojnë të paktën një pjesë të dëmeve të mëdha të shkaktuara.
Megjithatë, presidenti kritikoi administratat rajonale për dështimin në raportimin në kohë të problemeve, çka sipas tij ka kontribuar në përkeqësimin e situatës./ /Ad.Ab./ a.jor.