E Diel, 1 Nëntor 2026

Uashington, fillojnë bisedimet izraelito-palestineze të paqes

Udhëheqësit izraelitë dhe palestinezë filluan në Uashington bisedimet e drejpërdrejta të paqes, të parat prej pothuajse dy vjetësh. Në ceremoninë e hapjes në Departamentin e Shtetit, Sekretarja e Shtetit Hillari Klinton shprehu shpresën për bisedimet mes Kryeministrit  izraelit, Benjamin Netanjahu  dhe Presidentit palestinez Mahmud Abas. Duke hyrë në sallën e konferencës, të tre zyrtarët buzëqeshën dhe shtrënguan duart me personalitete e tjera të pranishme. Zyrtarët amerikanë kanë thënë se shpresojnë arritjen e një marrëveshjeje brenda një viti.

Në komentet gjatë ceremonisë së hapjesë së bisedimeve, Sekretarja e Shtetit u bëri thirrje skeptikëve që të bashkohen në këtë përpjekje. Tani, tha ajo është rasti për të ndihmuar në dobi të progresit.

Ajo tha se Shtetet e Bashkuara kanë premtuar mbështetje të plotë për këto bisedime dhe theksoi se Amerika do të jetë një partnere aktive dhe e qëndrueshme.

Zonja Klinton i shprehu besimin kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu dhe Presidentit palestinez, Mahmut Abas se ata mund tia arrijnë qëllimit.

Ajo tha se kjo është në interesin e sigurisë së Shteteve të Bashkuara por theksoi se Shtetet e Bashkuara nuk mund dhe nuk do të përpiqen të imponojnë një zgjidhje.

Vetëm ju mund të merrni vendimin e nevojshëm për të arritur një marrëveshje dhe të siguroni një të ardhme paqësore për popullin izraelit dhe palestinez, tha Sekretarja e Shtetit.

Mbrëmë, pas bisedimeve që patën veç e veç në Shtëpinë e Bardhë me Presidentin Obama, Zoti Netanjahu dhe Zoti Abas shprehën që të dy përkushtimin ndaj përpjekjeve të paqes.

Ndërkohë, në komentet e saj, zonja Klinton tha se për shumë nga pjesmarrësit, ky nuk është udhëtimi i parë drejt tryezës së bisedimeve.

Ne kemi qenë këtu më parë dhe e dimë sa e vështirë do të jetë rruga përpara nesh. Me siguri që do të ketë pengesa dhe hapa prapa. Ata që e kundërshtojnë çështjen e paqes do të përpiqen me çdo mënyrë për ta sabotuar procesin siç e kemi parë këtë javë, tha zonja Klinton.

Ajo u bëri thirrje dy udhëheqësve që të ecin përpara me mirëbesim dhe të mos lëkunden në përkushtimin e tyre për të arritur suksesin në emër të popujve të tyre. Zonja Klinton përsëriti se çështjet kryesore mes dy palëve mund të zgjidhen brenda një viti dhe tha se ideja e zgjidhjes me dy shtete është e vetmja rrugë drejt një paqeje të qendrueshme.

Ajo iu drejtua dy udhëheqësve me fjalët se ata kanë shansin për ti dhënë fund konflitit dhe armiqësisë një herë e mirë.

Zonja Klinton tha se në fund të fundit do të jenë populli izraelit dhe ai palestinez që do të vendosin të ardhmen e tyre dhe u bëri atyre thirrje për durim.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›