Udhëheqësit irakianë mbështesin tërheqjen e trupave amerikane
Udhëheqësit irakianë mirëpritën planet e Shteteve të Bashkuara për të tërhequr trupat luftarake amerikane nga Iraku deri në fund të gushtit 2010.
Kryeministri irakian Nuri al-Maliki tha sot se forcat e vendit të tij kanë provuar se janë të gatshme për të marrë në dorë komandën. Ai tha gjithashtu se Shtetet e Bashkuara janë dakord mbi nevojën për të furnizuar Irakun me më shumë armatime dhe pajisje të tjera ushtarake.
Presidenti Barak Obama e informoi zotin Maliki mbi planet e tërheqjes dje, përpara se ta shpallte njoftimin në bazën amerikane të marinsave, Camp Lejeune, në shtetin e Karolinës së Veriut.
Edhe zëvendës kryeministri irakian Tariq al-Hashemi e mirëpriti tërheqjen amerikane dhe tha se Shtetet e Bashkuara ende kanë një përgjegjësi për t'i përgatitur më tej forcat irakiane. //mm//