E Martë, 3 Nëntor 2026

“Udhëtim në Japoni”, ambasadorja Kikuko: Thellojmë bashkëpunimin mes Japonisë dhe Shkodrës

“Udhëtim në Japoni” ishte ekspozita që u çel në mjediset e bibliotekës publike “Marin Barleti” në Shkodër.

E pranishme në hapjen e kësaj ekspozite ishte ambasadorja e sapoemëruar e Japonisë në Shqipëri, Kato Kikuko.

“Përshëndetje të gjithëve. Unë jam ambasadorja e tretë në shtetin shqiptar. Dua t’ju falënderoj për ardhjen tuaj këtu dhe jam shumë e lumtur që t’ju mirëpres në ekspozitën tonë të fotografive. Këto foto të paraqitura pranë jush janë realizuar nga fotografë të ndryshëm profesionistë, por jo vetëm. Ka edhe nga studentë shqiptarë që studiojnë në Japoni, si Gledis Gjata, dhe nga të tjerë fotografë, diplomatë, të cilët kanë dhënë kontributin e tyre për këtë ekspozitë. Nuk është hera e parë që vjen për publikun shqiptar, sepse është një ekspozitë lëvizëse që është hapur më përpara në Tiranë, Berat, Skrapar dhe tani vjen edhe në Shkodër. Kemi mundësinë që përmes kësaj ekspozitë t’ju tregojmë disa pamje të veçanta nga Japonia që lidhen me natyrën, arkitekturën, jetën e qytetarëve të Japonisë. Ky nuk është projekti i parë me bibliotekën ‘Marin Barleti’ pasi kemi pasur edhe një tjetër ku kemi dhuruar 150 libra në gjuhën japoneze, por të përkthyera në anglisht në mënyrë që qytetarët shkodranë të njihen më shumë me Japoninë.

Ndërkohë para pak javësh kemi firmosur një kontratë me spitalin e Shkodrës për dhurimin e disa pajisjeve mjekësore që i dedikohen shëndetit të vajzave dhe grave pa harruar edhe aktivitetin e gatimit të ngjalave në Shkodër me salca japoneze. Kemi edhe një futbolliste nga Japonia që luan me Vllazninë e vajzave. Unë jam ambasadore e re, e cila sapo e kam marrë këtë detyrë dhe ne dëshirojmë ta thellojmë këtë bashkëpunim mes Japonisë dhe Shkodrës,” u shpreh ambasadorja Kikuko.

Drejtorja e bibliotekës “Marin Barleti”, Ledia Dushi, dha detaje mbi natyrën e kësaj ekspozite ku kurator është Fatmir Juka.

“Në radhë të parë falënderoj bashkinë e Shkodrës dhe kryetarin e saj, që është treguar gjithnjë mbështetës në aktivitetet e bibliotekës. Si artistë alternativë, u kemi dhënë mundësinë e krijimit të një konteksti i cili pati si qëllim të afrojë njerëzit me kujtimet fotografike,” tha znj. Dushi.

Të pranishmit vlerësuan këtë ekspozitë duke njohur më mirë natyrën, kulturën dhe jetën në Japoni përmes fotografive.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›