E Diel, 1 Nëntor 2026

Udhëzimi për AI, drejtori i Agjencisë së Cilësisë në Arsim: S’do përdoret në shkolla, por do të mbështesë procesin mësimor

Çdo ditë e më shumë, inteligjenca artificiale po bëhet pjesë e jetës sonë. Në vitet e fundit, ajo ka gjetur përdorim të gjerë edhe nga mësuesit dhe nxënësit për kryerjen e detyrave të shtëpisë, zgjidhjen e ushtrimeve apo edhe në hartimin e testeve.

Ndaj, Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsim, në fillim të këtij muaji, ka nxjerrë një udhëzues që rekomandon mënyrën e përdorimit të inteligjencës artificiale në arsim.

Drejtori i kësaj agjencie, Gerti Janaqi, sqaron se inteligjenca artificiale nuk do të përdoret si zëvendësuese në shkolla, por do të shërbejë si një mjet mbështetës i procesit mësimor.

“Ministria e Arsimit nuk i ka dhënë akses asnjë platforme të inteligjencës artificiale për t’u përdorur në procesin mësimor. Por, nga ana tjetër, ne jemi në koherencë me të gjitha strukturat e Komisionit Europian, OECD-së dhe UNESCO-s, të cilat lajmërojnë se sistemet arsimore duhet të jenë të përgatitura për përdorimin etik të inteligjencës artificiale”, u shpreh ai.

Programi për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve, PISA 2029, e ka shtuar si një fushë të re edhe çështjen e edukimit mediatik, si dhe përdorimin e inteligjencës artificiale.

“Ne jemi mësuar të performojmë në matjet në matematikë, shkenca dhe lexim. Një domen i ri pas katër vitesh do të jetë pikërisht sa të përgatitura janë sistemet arsimore për përdorimin e inteligjencës artificiale dhe edukimit mediatik në shkolla. Kështu që, në këtë këndvështrim, besoj që ka ardhur momenti që ne të sensibilizojmë mbi përdorimet e saj, rrezikshmërinë që sjell përdorimi i AI-së”, tha Janaqi.

Por, për çfarë përfitimesh mund të kenë nxënësit nga përdorimi i inteligjencës artificiale?

“Mund të ndihmojë në zhvillimin e ideve të caktuara, mund të shërbejë për analiza krahasimore dhe për përdorim etik, por gjithmonë edhe këtu duhet bërë kujdes me moshën e përdorimit, me ciklet e përdorimit dhe me atë që ne i quajmë çështjet e plagjiaturës”, tha ai.

Dokumenti synon të orientojë nxënësit dhe mësuesit drejt përdorimit të përgjegjshëm të inteligjencës artificiale për kërkimin e informacionit, realizimin e projekteve dhe zhvillimin e kreativitetit.

/RTSH/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›